Kundërmim i Ujërave të Zeza në Koretin

Fshati Koretin është fshati më i madh i komunës së Kamenicës që besohet se ka afër 800 shtëpi të banuara.

Por ky fakt nuk i ka ndihmuar këta banorë që komuna të investojë në atë pjesë për t’ua bërë të mundur që gjatë verës ta shijojnë aromën e bukur të natyrës.

Në vend të kësaj, për mungesë kanalizimi në fshat nuk mund të rrihet nga era e ujërave të zeza që derdhen në lum.

Rexhepi Hoti, banor i cili jeton në këtë anë, u shpreh se kundërmimi është i madh në çdo kohë të vitit, por gjatë verës bëhet i padurueshëm.

“Problemi i lumit është i kahershëm, gjatë kohës së verës këtu është kundërmimi shumë i madh, pothuajse uji i rregullt nuk rrjedhë këtu, por vetëm kanalizimi edhe është verës shumë problem, atje dhe shtëpijat nalt që i kemi, edhe atje nalt kemi kundërmim, dritaret s’mund t’i hapim edhe sot gjatë kësaj kohe,” tha Hoti.

Sipas Hotit premtime për rregullimin e kësaj pjese ka pasur që moti, por ndryshime nuk ka pasur deri më sot.

“Me ndërmarrë asgjë nuk është ndërmarrë, edhe pse premtime ka pasur shumë edhe nga kryetari i tanishëm edhe nga ai më përpara, por deri më sot asgjë nuk është punu në këtë drejtim,”  tha Hoti.

Në anën tjetër Faton Biqkaj udhëheqës i personelit në komunë tha se shqetësimi i qytetarëve është i drejtë, por komuna nuk ka mjete për të rregulluar kanalizimin në Koretin.

“Me buxhetin komunal që e kemi të aprovuar, i cili është 351,000 euro për këtë vit nuk ka mjete buxhetore për realizimin e këtij projekti,” tha Biqkaj.

Sipas tij, komuna ka arritur marrëveshje me qeverinë austriake që përmes kredive të buta dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të investojë në trajtimin e ujërave të zeza  të cilat do të përfshijnë rregullimin e impianteve prej fshatit Strezofc, Koretin e deri më Domarofc.

Edhe Arsim Thaçi asamblist në Komunën e Kamenicës nga radhët e “Vetëvendosjes” thotë se komuna nuk ka bërë asgjë për kanalizimin në Koretin dhe fshatra tjerë.

“Sa i përket trajtimit të ujërave të zeza komuna shumë pak është marrë me këtë problematikë. Si anëtar i kuvendit të komunës përkatëse, pra komunës së Dardanës kam ngritur si çështje të pazgjidhur të ekzekutivit një herë me gojë dhe pastaj edhe me shkrim për trajtimin e ujërave të zeza në Koretin, Topanicë dhe tutje deri në Moravë,“ tha Thaçi.

Asamblisti i “Vetëvendosjes, si zyrtari komunal Biqkaj, thotë se komuna ka përmendur donatorë ndërkombëtarë, ndërsa ua çan hallet banorëve që nuk mund të hapin dritaret.

Por, Thaqi tha se problematika është aktuale dhe që banorët e asaj ane janë verës nuk mund të dalin në oborret e tyre për shkak të aromave të kqija.

“Çdo verë, por edhe gjatë sezonës së dimrit kur mungojnë të reshurat kundërmon nga pak edhe pse është stinë e ftohtë, por sidomos gjatë verës kur është vapë e madhe dhe temperaturat janë në rritje dhe pakohet uji burimor i lumit, atëherë kundërmon i tërë lumi dhe pothuajse në rrezen e veprimit rreth 100 metra përskaj lumit në dy anët e lumit, ato shtëpi ose ata banorë nuk mund t’i hapin fare dritaret, ose të rrinë në kopshtet e tyre,” tha Thaçi.

Banorët e kësaj ane mbesin me shpresë që kjo verë do të jetë më e bukur se të tjerat. [interaction id=”56c8d620b6c51fb65202d66a”]