Foto: Ibrahim Berisha, REL

Derdhja e ujërave të zeza në +35 gradë: Romët në Graçanicë u druhen infektimeve

“[Derdhja e ujërave të zeza] shkakton sëmundje ngjitëse! Vetëm bretkosat dhe gjarpërinjtë që nuk nisin të dalin”.

Me këto fjalë, Ismet Qakatolli, rom nga Graçanica, komenton derdhjen e ujërave të zeza pranë shtëpisë së tij, tash e sa muaj.

Graçanica është një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër në Kosovë, ku romët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë. Ata jetojnë kryesisht në disa rrugë në dalje nga Graçanica, që njihen si Lagjja e Romëve.

Në këtë mëhallë, sipas pohimeve të banorëve, ujërat e zeza rrjedhin në tri vende tash e gjashtë muaj, ndërsa autoritetet lokale thonë se pastrimi i tyre nuk është kompetencë e tyre.

Problemi bëhet më i madh gjatë ditëve të nxehta të verës, kur në temperatura prej +35 gradësh Celsius, era e keqe bëhet e padurueshme.

“Katastrofë, nuk mund të rrish në oborr. Nuk dimë më as kujt t’i drejtohemi, iu drejtuam të gjithëve”, thotë Qakatolli për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se po rrit shtatë nipër e mbesa, të cilët kanë mbetur pa prindër për shkak të disa ngjarjeve tragjike.

Tani, thotë ai, është i shqetësuar për shëndetin e tyre, sepse çdo ditë duhet të kalojnë nëpër rrugë ku derdhen ujëra të zeza.

Fqinji i tij, Shukri Sherifoviq, thotë se ujërat e zeza derdhen afër oborrit të shtëpisë së tij, sepse ai jeton në fund të rrugës.

“Ka një erë shumë të keqe, bëhet edhe më e rëndë gjatë vapës. Nuk mund të hap dyer apo dritare”, thotë Sherifoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk e sheh të arsyeshme të ankohet tek autoritetet lokale, sepse nuk beson se do të bëjnë ndonjë gjë.

“Mos pyet, mos më pyet asgjë. Problem i madh. Por, ato [autoritetet lokale] e kanë fajin se si e kanë bërë këtë”, thotë Sherifoviq.

Qakatolli thotë se pushtetit vendor “nuk i intereson” problemi i derdhjes së ujërave të zeza, sepse, sipas tij, ai i prek romët.

“Shkoni në ndonjë rrugë tjetër në Graçanicë dhe shikoni nëse ka probleme si këtu. Nuk ka askund, gjithçka rregullohet menjëherë”, thotë Qakatolli.

Komuna e Graçanicës: Nuk diskriminojmë askënd

Drejtori e Shërbimeve Publike në Komunën e Graçanicës, Vlladica Trajkoviq, i mohon pretendimet e disa banorëve të Lagjes së Romëve se autoritetet lokale nuk po e zgjidhin problemin e derdhjes së ujërave të zeza për arsye “diskriminuese”.

“Ne çdo ditë kemi probleme në të 17 vendbanimet [që përbëjnë Komunën e Graçanicës), sepse ndodh që objekte të ndryshme të hidhen [në kanalizim], siç ka ndodhur në Lagjen e Romëve… i vjedhin kapakët [e pusetave] dhe hedhin gjëra në to, që më pas hyjnë në tuba”, thotë Trajkoviq.

Ai shton se, në disa raste, punonjësit e shërbimit publik “i kanë zhbllokuar me duar kanalizimet e bllokuara”, por se problemi është rishfaqur.

“Ujësjellësi është i detyruar të dërgojë cisterna dhe t’i zgjidhë këto probleme. I kemi raportuar disa herë, edhe ne si komunë, edhe banorët. Presim që kompania ‘Ujësjellësi’ ta zgjidhë problemin”, thotë Trajkoviq.

Sipas tij, komuna nuk ka kompetencë të “gërmojë dhe ndërrojë tubacione nga puseta në pusetë”.

Megjithatë, nga puna e autoriteteve komunale, që postohet në ueb-faqen e Komunës së Graçanicës, duket se rehabilitimi i rrjetit të kanalizimit është bërë disa herë në fshatrat përreth.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe ndërmarrjes publike “Ujësjellësi” me pyetjen se a e ka kontaktuar dikush në lidhje me problemin e derdhjes së ujërave të zeza në Graçanicë dhe çfarë është e kontestueshme në zgjidhjen e tij. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Përfaqësuesi i romëve në komunë: Kapakët nuk vidhen

Anëtari i Komisionit për Komunitete në Komunën e Graçanicës, Turkijan Tairi, thotë se ka kohë që e ka ngritur problemin e derdhjes së ujërave të zeza në Lagjen e Romëve, por se autoritetet lokale “nuk dëgjojnë”.

“Është turp që komuna nuk reagon. Edhe sa kohë duhet të kalojë për të vepruar? E patë se çfarë fatkeqësie është, është kaos. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por nuk kam shpresë”, thotë Tairi.

Ai e demanton edhe drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Graçanicës, Vlladica Trajkoviq, se bashkëvendësit e tij i vjedhin kapakët e pusetave dhe nënvizon se për problemin e derdhjes së ujërave të zeza, përgjegjëse janë institucionet kompetente.

“Para 15 vjetësh jemi përballur me këto probleme, por tani jo. Hekuri kushton 20 centë dhe [kapaku] i pusetës është ndoshta 20 kilogramë. Kush do të vjedhë 4 euro? Nuk është logjike”, thotë ai.

Pozita e romëve në Kosovë

Bazuar në regjistrimin e vitit 2011, romët përbëjnë rreth 0.5 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve në Kosovë.

Shtatorin e kaluar, Qeveria e Kosovës prezantoi Strategjinë për Përmirësimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali për periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2026, si dhe Planin e Veprimit deri në vitin 2024.

Strategjia parasheh zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe varfërisë në mesin e pjesëtarëve të komunitetit rom dhe ashkali, rritjen e numrit të personave të arsimuar, eliminimin e diskriminimit dhe ndarjes etnike, si dhe qasjen në kujdes shëndetësor.

Për zbatimin e saj, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 20 milionë euro, ndërsa rreth dy milionë janë në dispozicion nga donatorët./REL.