Nënshkruhet marrëveshje në vlerë 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ nënshkruan marrëveshje në vlerë prej 13,2 milionë euro për trajtim të ujërave të zeza në Prishtinë.
Ministria e Financave përmes një komunikate bëri të ditur se në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Zëvendësministri i Ekonomisë Getoar Mjeku, Koordinatori i Zyrës së Bankës Gjermane për Zhvillim në Kosovë, Premtim Islami dhe Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu.
“Ky projekt kontribuon në zhvillimin e qytetit të Prishtinës, duke reduktuar ndotjen, ruajtur ekosistemet natyrore dhe mundësuar përshtatjen me ndryshimet klimatike, e gjitha kjo duke qenë në linjë me Strategjinë Nacionale për Menaxhimin e Ujërave të Zeza” – ka thënë ministri Murati.
Edhe zëvendësministri, Getoar Mjeku gjithashtu foli për rëndësinë e këtij projekti.
“Projekte të tilla janë të domosdoshme që burimet tona të ujit të jenë të sigurta dhe të shërbehet një numër më i madh i qytetarëve”- është shprehur ai.
Derisa, kryeshefi i Ujësjellësit ‘Prishtina’, Arsim Fetahu e konsideron të rëndësishëm këtë projekt.
“Projekti në fjalë ka një rëndësi të veçantë për Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës duke konsideruar nivelin e lartë të ndotjes në këto komuna” – u shpreh kryeshefi, Arsim Fetahu.
Marrëveshja e nënshkruar sot për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës me vlerë 13.2 milionë euro i shtohet marrëveshjes fillestare të grantit me vlerë 28.8 milionë euro, duke e bërë kështu vlerën totale të projektit 42 milionë euro.