default

ZKA: Komuna e Kamenicës nuk aplikoi procedurat e prokurimit, e rriti vlerën e kontratës për 12%

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një rast në të cilin kishte pasur ndryshime në kontratë mbi 10 për qind të vlerës totale të kontratës në Komunën e Kamenicës, pa i aplikuar procedurat e prokurimit.

Këto ndryshime, sipas ZKA-së, kanë të bëjnë me sasitë e realizuara në pozicione të caktuara të cilat ishin aprovuar nga kryetari pa aplikimin e procedurave të prokurimit, përkatësisht te kontrata “Kanalizimi në qytet dhe fshatra” prej 190 mijë 778 euro, ndryshimet ishin në 58 pozicione me vlerë prej 22 mijë e 850 euro apo rreth 12 për qind e vlerës së kontratës.

Raporti i ZKA-së ka treguar se interpretimi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka përcaktuar se ndryshimet e kontratave mund të aplikohen pa procedura të reja të prokurimit vetëm nëse vlera financiare e këtyre ndryshimeve nuk është me shumë se 10% e vlerës së kontratës.

Në rastin e Komunës së Kamenicës, kjo vlerë ka kaluar këtë përqindje.

Raporti tregon se sipas sqarimeve të menaxherit të kontratës, mosaplikimi i procedurave të prokurimit për këto ndryshime ishte për shkak të mungesës së njohurive lidhur me ndryshimet në rregullat e prokurimit publik.

ZKA ka vlerësuar se ndryshimi i kontratave pa procedura të reja të prokurimit mbi përqindjen e lejuar, shpërfaq dobësitë në kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti dhe mund të rezultojë që për shkak të realizimit të kontratës me kushte të ndryshuara nuk është përzgjedhur operatori më i lirë.

Përderisa, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave dhe Zyra e Prokurimit janë në njohuri me kërkesat ligjore për prokurimin publik. Po ashtu, ndryshimet e kontratave vlera e të cilave është mbi 10 për qind e vlerës së kontratës, do të bëhen vetëm pas aplikimit të procedurave të prokurimit.

Komuna e Kamenicës është pajtuar me gjetjen e ZKA-së.

Raporti i Zyrës së Auditimit për Komunën e Kamenicës ka rezultuar me 6 rekomandime, prej tyre 4 janë të reja si dhe 2 të përsëritura.