Foto: Ministria e Financave, Facebook
Nënshkruhet marrëveshje 20 milionëshe për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj
20 milionë euro do të shkojnë për trajtimin e ujërave të zeza në rajonin e Ferizajt, për të parandaluar shkarkimin e ujërave të zeza në lumenj.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko nënshkruan sot marrëveshjen për këtë projekt.
“Nga ky projekt përfitojnë rreth 90 mijë qytetarë duke ndikuar në ruajtjen e burimeve lokale të ujërave. Gjithashtu, vlen të theksohet se projekti është në linjë me Strategjinë Nacionale të Ujërave për Kosovë (2023 -2027)” – njofton Ministria e Financave përmes një komunikate.
Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri Murati ka thënë se ky projekt do të ndikojë në ruajtjen e ambientit në komunat e Ferizajt dhe Kaçanikut si dhe në rajonin përreth.
“Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit publik në Kosovë. Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave dhe mjedisit dhe shpresojmë që ky projekt të shërbejë si model i suksesshëm për projekte të ngjashme në të ardhmen” – ka thënë drejtori i BERZH në Kosovë.
Kompania Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni SH.A” është zbatuese e këtij projekti. Kryeshefi Ekzekutiv i saj, Jeton Shabani falënderoi palët për përkushtimin dhe tha se projekte të tilla lehtësojnë jetën e qytetarëve në Rajonin e Ferizajt.