Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria kërkon autorizim nga Osmani për nënshkrim të kredisë nga BERZH-i për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është aprovuar vendimi për të kërkuar nga presidentja, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj.

“Është aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj”- thuhet në njoftim.

Më pas, ministri i Financave, Hekuran Murati ka treguar se kanë marrë përgjigje pozitive nga BERZH, dhe pas gati 10 muaj punë përgatitore nga ekipet punuese, është finalizuar drafti i marrëveshjes, e cila është gati për nënshkrim.

“Ky projekt do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e ambientit në komunën e Ferizajt dhe atë të Kaçanikut” – ka shkruar ministri Murati në Facebook.

Më 24 shtator të 2023, KALLXO.com, pati raportuar se si banorëve të Kaçanikut kundërmimi i Lumit Nerodime po ua vështirëson jetesën. Për vite me radhë aty derdhën ujërat e zeza të Kaçanikut dhe Ferizajt.