Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit

Përgjimi që çoi në gjetjen e trupit të biznesmenit të vrarë Bedri Rexhepi, deri te dënimi me burgim të përjetshëm i vëllezërve Vllasaliu

Pasditja e 8 prillit 2021 do të cilësohet nga Prokuroria si dita e fundit që ishte parë e dëgjuar i gjallë Bedri Rexhepi, i cili kishte dalë nga banesa e tij për punë biznesore, por që asnjëherë nuk u kthye pas.

Dyshime e pikëpyetje të shumta kishte nga familjarët për fatin e Rexhepit, supozime për kontaktet e fundit me personat me të cilët bënte biznes ishin ngritur që në ditët e para që Bedri Rexhepi kishte humbur kontaktet me familjarët e tij.

Katër vjet e një muaj që nga kontakti i fundit me familjarët e tij, Gjykata e Prishtinës (Shkalla e Parë) i dha një përgjigje pikëpyetjeve të familjarëve të të ndjerit lidhur me autorët e vrasjes së familjarit të tyre.

Dy vjet e shtatë muaj që nga dalja për herë të parë para Gjykatës në cilësinë e të akuzuarve vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu Gjykata i gjeti fajtor për rastin e vrasjes së biznesmenit, Bedri Rexhepi.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, vëllezër, janë dënuar me burgim të përjetshëm, më 28.05.2025.

Bedri Rexhepi, i cili merrej me shitblerjen e veturave, sipas Prokurorisë ishte vrarë më 08.04.2021 dhe më pas nga vëllezërit Vllasaliu ishte zhdukur duke mos u zbuluar për gati 18 muaj.

Fotografia e Bedri Rexhepit

Motivi i krejt kësaj vrasje të rëndë sipas Prokurorisë është përfitimi pasuror në vlerë prej 30,000 euro, për një marrëveshje për dy vetura që Rexhepi do t’i blinte nga Jetoni.

Sipas Prokurorisë veprimet për ta privuar nga jeta Rexhepin nuk ishin marrë të vetme nga Jetoni, pasi i përfshirë në këtë rast më vonë sipas Prokurorisë doli të jetë edhe Nexhat Vllasaliu.

Vrasja ishte kryer sipas Prokurorisë nga të dy, por që trupi i të ndjerit ishte një enigmë që nuk mund të gjendej për më shumë se një vjet nga Prokuroria.

Prokuroria ishte në luftë me kohën, që të zbulonte, se ku e kishin fshehur dy vëllezërit trupin e pajetë të Rexhepit, me qëllim që të ngriste Aktakuzën, pasi i dyshuari i parë Jeton Vllasaliu ishte duke qëndruar në paraburgim që nga 13 prilli 2021.

Në rast se kalonte afati prej 18 muajsh në paraburgim dhe nuk kishte Aktakuzë për Jeton Vllasaliun, atëherë i njëjti sipas Kodit të Procedurës Penale do të duhej që të lirohej për t’u mbrojtur në liri, përderisa të vazhdonte procedura.

Jeton Vllasaliu nuk do të mbetej i vetmi i arrestuar e i akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit, pasi Prokuroria kishte filluar një seri të arrestimeve për këtë rast. Më 10.06.2022 ishin zgjeruar hetimet nga Prokuroria ndaj Nexhat Vllasaliut, Xhyljeta Vllasaliut, kurse ndaj Arjeta Rukovcit hetimet ishin zgjeruar më 18.08.2022.

Në Aktakuzë të Prokurorisë thuhet se për Arjeta Rukovcin dhe Xhyljeta Vllasaliun është ngritur Aktakuzë për veprën penale “deklarimet e rreme”, pikërisht për këtë rast, ku rasti është veçuar dhe është dërguar në Departamentin përgjegjës për gjykim.

Paraqitje të rreme te familja Rexhepi gjoja si pjesëtarë të CIA-s, me qëllim të gjetjes së trupit, ishin hasur në këtë rast, që kishin përfunduar me arrestime e me paraburgime.

Ndonëse kishte arrestime përpjekjet e Prokurorisë për gjetjen e trupit ishin të vazhdueshme, por pa sukses. Në luftë me kohën Prokuroria aktivizoi edhe masa të fshehta mes dy vëllezërve, me qëllim gjetjen e trupit.

Të gjendur në një dhomë, pa e ditur se janë duke u përgjuar, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të përballur me arrestime të familjarëve, e të dyshuar për vrasje të Bedri Rexhepit, fillojnë të thyhen mes vete – thyerja e parë mes vëllezërve sipas planit operativ të Prokurorisë.

Prokuroria aplikoi disa masa të fshehta, duke i monitoruar bisedat mes dy vëllezërve, me qëllim gjetjen e trupit, duke triumfuar si organ i ndjekjes në zbulimin e trupit se ku ishte varrosur.

Sipas Prokurorisë Bedri Rexhepi ishte vrarë nga Jeton Vllasaliu në shtëpinë e Nexhat Vllasaliut – vëllait të tij, e më pas Nexhat Vllasaliu i kishte kontribuar rastit duke i ndihmuar Jetonit që të varrosej e zhvarrosej trupi i të ndjerit.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në bankën e të akuzuarve, më 24.07.2024

Sipas Prokurorisë, trupi i Rexhepit ishte mbështjellë me perde të shtëpisë dhe ishte lidhur me litar.

Në këtë rast do të mund t’i lexoni (dëgjoni në video) disa prej momenteve të bisedës së transkriptuar mes Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, në përpjekje për ta identifikuar vendin se ku e kishin varrosur të ndjerin Bedri Rexhepi.

Jetoni dhe Nexhati bisedojnë për ta identifikuar vendin me anë të perdes me të cilën Prokuroria pretendon se ishte mbështjellur trupi i pajetë i Rexhepit. Nexhat Vllasaliu insiston të vëllai i tij Jetoni që të kujtohet se ku e kishin varrosur të ndjerin. Madje, në një moment Nexhat Vllasaliu insiston të marrë përgjigje nga vëllai i tij se mos kishte qenë edhe dikush tjetër gjatë veprimeve me të cilat akuzohet. Insistimi i Nexhat Vllasaliut shoqërohet me pyetje nga Jeton Vllasaliu duke u interesuar të dijë se mos ka Nexhati ndonjë përgjues të vendosur nga Prokuroria.

Jeton Vllasaliu: “A o larg”? (me zë shumë të vogël)

Nexhat Vllasaliu: “Jo, bre qaty” (me zë shumë të vogël, pastaj vazhdon me zë të ngritur): “Kah ti din, unë nuk di.”

Jeton Vllasaliu: “A e din perdja” (me zë shumë të vogël).

Nexhat Vllasaliu: “Në të djathtë” (me zë shumë të vogël, pastaj vazhdon me zë të ngritur): “Kqyr, loqka jem”.

Jeton Vllasaliu: “Perdja”?

Nexhat Vllasaliu: “A the ti atë dite u met ma nalt, unë e kom çu perden ma poshtë”.

Jeton Vllasaliu: “Mos u gut veç pak, a mun e di sa ma nalt”? (me zë shumë të vogël).
Nexhat Vllasaliu: “Përskej udhe bre vlla. Vetë më the. Më the dje. Tash, çka tu ka përzi? Kqyr, amani të koftë.”

Jeton Vllasaliu: “A e din ku u met perdja, a është larg qasaj perdes”? (me zë shumë të vogël)
Nexhat Vllasaliu: “Jo bre, 50-60 metra me kqyr, hec herë anena, kqyr se kryt po më dhem.”

Jeton Vllasaliu: “Nuxh, Nuxh, veç pak se s’e kem lehtë asnjani. Po nashta ishalla po gjinet. Po ngomë, ngomë, a munesh me ditë perdja ku u metën, a është ma poshtë a ma naltë”? (me zë shumë të vogël)

Nexhat Vllasaliu: “Jo, perdja ma poshtë bre vlla. A the ti…? Ti më the ma poshtë është perdja. Tash çka tu ka përzi”.

Nexhat Vllasaliu: “O vlla, lype udhës, përskejt, në qosh të udhës”.

Jeton Vllasaliu: “S’pe di a jom hi udhës të madhe, a udhës të hollë”?

Nexhat Vllasaliu: “Hin bre vlla herë në atë udhë, herë në atë udhë, kqyre. Udhës të hollë s’ke mujtë. Kqyr, kqyr se mu ka lodhë shpirti. Pram me pa mujt ia kisha ba qarën veti. Mos e merr në qafë kërkon. Mos je kanë me najkon vlla? Me qat të Shqipnisë, mos e ke pas me veti? Qysh e ka pasë emrin nji punëtor që punojke me ty?”.

Jeton Vllasaliu: “N***, a? Ja, ja.”

Jeton Vllasaliu: “A ki najsen në trup, a” ? (me zë shumë të vogël)

Pas ngritjes së Aktakuzës dhe fillimit të gjykimit dy vëllezërit ishin deklaruar rreth pretendimeve që Prokuroria i kishte ndaj tyre. Ata akuzoheshin se për përfitim pasuror në vlerë prej 30,000 euro kishin privuar nga jeta Rexhepin.

“Nuk ndjehem fajtor në disa pika.” – kishte deklaruar para Gjykatës Jeton Vllasaliu, ndërsa vëllai i tij Nexhat Vllasaliu kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë në seancën e datës 14.11.2022.

Sipas Prokurorisë ishin në pyetje dy vetura që ishin blerë dhe shitur mes të ndjerit dhe Jeton Vllasaliut, që vlera e tyre kapte vlerën e 30,000 euro.

Gjithnjë sipas Aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit tjetër Nexhat Vllasaliu, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e privon nga jeta Bedri Rexhepin, duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jetoni e kishte dërguar veturën e Rexhepit në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhatin i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jetoni kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Në këtë gjykim ishin dëgjuar 29 dëshmitarë, të cilët kanë treguar momentet e fundit që kishin kontaktuar me të ndjerin dhe si e përshkruanin atë si person.

Almir Osmani, bashkëpunëtor në biznes me të ndjerin, i cili e kishte lënë një takim po të njëjtën ditë me të, por që ky takim nuk ishte realizuar asnjëherë.

“Në ora 16:17, deri në 20:00. Unë kam mrri në Ferizaj. Kam pritë e kam thirrë Bedriun në telefon, mirëpo nuk më është përgjigjur. I kam shkru sms. Nuk m’u ka lajmëruar. Kam pritur diku rreth orës 19:00, në Ferizaj dhe pastaj jam kthyer në Gjilan. Kam provuar prapë me thirrë, ma ka ndërpre një herë… (Nuk kuptohet). Nuk kam provuar më me thirr deri në ora 21:00 e diçka, 21:20, derisa më ka shkruar në Viber. Ka qenë ora 21:23, “I nderum u takova me nji sh… në Qorrot. Më fal, veç edhe pak jam me to, se m’ka nervozu. Qe po shkoj te ai qisi beka.” Unë ia kom kthy në 21:48: “S’po të kuptoj vllaçko sen.” Pastaj e kom thirrë unë në telefon. E ka pasur ndal.” – kishte thënë dëshmitari.

Dëshmi të ngjashme se kishte pranuar mesazh telefonik nga telefoni i Bedri Rexhepit ishte deklaruar edhe Agim Hoti, i dëgjuar si dëshmitar.

“Agim, jom taku me nji serbe, qe 2 vjet qasan qa. Edhe s’kam bateri, a henez ko mu taku në Klinë me Bekën.” – kishte thënë para Gjykatës Hoti, më 08.07.2024.

Ndërsa, një dëshmitar tjetër kishte përshkruar një bisedë që e kishte bërë me tashmë të akuzuarin Jeton Vllasaliu, pak ditë para se ai të arrestohej për vrasjen e Bedri Rexhepit.

Faton Gashi më 10.10.2024 kishte thënë para Gjykatës se Jeton Vllsaaliu gjatë asaj bisede i ka thënë që Bedri Rexhepin e ka pasur shok dhe ka qenë në dijeni se i ndjeri ka dalë me një serbe.

“Jemi lëshuar te poshtë. Nuk e di a kam zbritë te Fontana, apo te rrethi dhe e di që kemi bërë muhabet. Ka thënë se ‘kemi dhënë deklarata në Polici shoqnia që kemi nejtë me Bedriun’ dhe tha se ‘është gjetë një kerr më doket në Janjevë’. Unë i kam thënë: ‘Koka rast i rëndë se çkamos po bëhet. Po shkon njeri pa kurrgjë hiç në Burg.’ Më kujtohet se më ka thënë se e ka pasë shok. Ai ka dalë me një serbe. Edhe unë kam menduar se mos i ka bërë ndonjë gjë ajo.” – tha dëshmitari Faton Gashi.

Kur kishte kaluar procedura ku janë shqyrtuar provat për këtë rast Jeton Vllasaliu ishte deklaruar (dhënë mbrojtjen), duke dhënë versionin e tij lidhur me akuzat e Prokurorisë për vrasjen e Rexhepit. I akuzuari kishte thënë se nga viti 2015 njihej me të ndjerin duke i konsideruar raportet e tyre shumë të mira.

I akuzuari më 11.02.2025 kishte treguar se si ishte takuar me të ndjerin në ditën kritike dhe planin që e kishin për ta shikuar një tokë në Kamenicë, por që ishte pamundësuar nga disa persona që ua kishin prerë rrugën.

Kur ishte pyetur se nga kush dhe çfarë lloj pengese iu ishte bërë atyre, ai nuk ishte përgjigjur dhe kishte kërkuar që të ndërpritej seanca, pasi që nuk mund të vazhdonte me dhënien e Mbrojtjes për shkak që ishte i ngarkuar psiqikisht.

“Për Bedri Rexhepin ka qenë ditë e kobshme, kurse për mua ka qenë ditë e zezë prej asaj dite. A keni mundësi mos me vazhdu sot se jam shumë… i ngarkum.” – ishte deklaruar i akuzuari Jeton Vllasaliu.

Seanca kishte vazhduar më 19.02.2025 me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Jeton, i cili  tashmë e kishte detajuar ndërprerjen e rrugës, ku kishte treguar se i ndjeri ishte marrë nga dy persona, kurse Jetoni ishte marrë nga dy persona të tjerë, ku ishin shoqëruar për 20-30 metra larg njëri tjetrit.

Pasi i kishin lënë të lirë Jetoni kishte thënë se kishte parë Rexhepin të shtrirë në tokë dhe njëri nga personat që ua kishte prerë rrugën i kishte thënë: “Tash e mbas ti ki punë me Bedriun”.

“Në momentin që më kanë lëshu, m’i kanë thanë dy fjalë: “Këqyr çka po bon me Bedriun, se këtu e knena ki punë ti me të”. Dhe, unë jam afru dhe e kam parë në tokë. Jam mundu me i dhanë ndihmën e parë, aq sa kam ditë dhe aq sa kam mujtë, por kur e kam parë që është e kotë dhe atë ditë kam qenë shumë i stresuar, shumë i ngarkuar, nuk kam ditë tjetër çka me bo me të. M’u ka dokë ma e rrugës për me e varrosë diku vetë dhe atë e kam bërë.” – kishte thënë Jeton Vllasaliu më 19.02.2025.

Jeton Vllasaliu, dhënia e mbrojtjes, më 11.02.2025

Me të parë në atë gjendje Jetoni tha se kishte provuar që t’ia japë ndihmën e parë, por sipas tij edhe kjo ka mundur që ta lëndojë më shumë dhe pastaj e ka parë si më të rrugës që ta varrosë.

“Unë e mora rrugën me kerr të të ndjerit dhe filluam për me shku në fshatin tim, ku e mora një kaci dhe një kazme dhe e mbështjella trupin e të ndjerit dhe po me atë makinë e çova. Mua m’u dok që është vend më i sigurt për me e varrosë të ndjerin.” – kishte shtuar Jetoni.

Ndërsa për veturën që Prokuroria e kishte gjetur me kilometra larg shtëpisë ku pretendohet se është vrarë Rexhepi, Jetoni kishte thënë se veturën e ka lënë në arat e Janjevës.

Gjetja e veturës së Bedri Rexhepit, e braktisur në fshatin Shushicë të Komunës së Lipjanit / Foto: KALLXO.com

Mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari tjetër Nexhat Vllasaliu i cili kishte deklaruar se nuk e di arsyen e arrestimit të tij. I njëjti ka thënë që nuk e ka njohur asnjëherë Bedri Rexhepin.

Nexhat Vllsaliu më 19.02.2025 kishte deklaruar se nuk e di të vërtetën e këtij rasti.

Gjithashtu, në fjalën përfundimtare ishin deklaruar dy të akuzuarit lidhur me këtë rast që ngritën shumë dilema edhe për gjyqtaren Medie Bytyqi.

“Nuk u planifiku kjo me muj qysh po flitet këtu. Synimi i mjeteve materiale nuk ka pasë të bëjë këtu. Nuk ka qenë, as nuk u kanë e planifikume, as e paramenume për me bo një gjë të tillë, as unë, le mo qeky (Nexhati) hiç se hiç. Ju kërkoj falje që ua kom mbajtë trupin 18 muaj. Unë e kom mbajtë, për çka e kom mbajt unë. Unë e kom dit. Kurrkush tjetër.” – kishte thënë Jeton Vllasaliu në fjalën përfundimtare.

Jeton Vllasaliu iu kishte kërkuar falje familjarëve të dëmtuarve.

Nexhat Vllasaliu në fjalën përfundimtare ka thënë se nuk ka pasur lidhje me varrosjen e Bedri Rexhepit, as nuk e ka njohur të ndjerin.

Ky gjykim pati përballje të shumta mes të akuzuarve dhe familjarëve të të ndjerit. Në këtë mes nuk u kursyen as monitoruesit e mediave, që nga familjarët e të akuzuarve që pati fjalë se “Do t’ua majmë mend fytyrat”.

Përballja e familjarëve të viktimës me dy të akuzuarit për vrasjen e familjarit të tyre u shoqërua në shumë seanca me reagime nga më të ndryshmet; reagimet u shprehën në forma të ndryshme edhe në gjykime.

Në njërën nga seancat e datës 08.03.2023, kur edhe kishte filluar gjykimi ndaj vëllezërve të akuzuar, kishte pasur një fjalosje mes të akuzuarve dhe familjarëve të Rexhepit. Nexhat Vllsaliu ishte ankuar te gjyqtarja e rastit, se po shahet nga familjarët e të ndjerit.

“Borxh je, shpirtin e ki, o qen… o qen na ke djegë tonë jetën, jetën na ke djegë.” – ishin disa prej reagimeve të familjarëve të palës së dëmtuar.

“KallxoPërnime” më 26.05.2021 kishte transmetuar emisionin i cili trajtonte temën e zhdukjes së Bedri Rexhepit.