Seanca gjyqësore ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për akuzën për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: Kallxo.com

'Takimi që nuk ndodhi kurrë' - Rrëfimi i dëshmitarit gjatë gjykimit në rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu u përballën sot me dëshminë e Almir Osmani, në rastin  e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepit, e të akuzuar për vrasje të rëndë janë vëllezërit Vllasaliu.

Dëshmitari rrëfeu takimin me Bedri Rexhepin që pritej të ndodhte në natën kritike, por që në fakt nuk u realizua kurrë.

“Kam biseduar m’ka thirrë edhe mu Bedriu, unë i kam marrë paret me veti edhe m’ka thanë me u nis për Ferizaj – 30 mijë euro, jam nis prej Gjilanit në Ferizaj me 30 mijë euro, Bedriu u nisë me shku me marrë Jetonin edhe me u taku në Ferizaj me i marrë veturat”- tha Osmani.

I njëjti rrëfeu momentin kur priti Bedriun që të vinte në Ferizaj nga Prishtina, për disa orë të tëra.

“Unë kam mrri në Ferizaj kam prit e kam thirrë Bedriun në telefon, mirëpo nuk më është përgjigjur, i kam shkru sms nuk mu ka lajmëruar, kam pritur diku rreth orës 19:00 në Ferizaj dhe pastaj jam kthyer në Gjilan”- tha bashkëpunëtori në biznes i të ndjerit.

Më tutje i njëjti rrëfeu para trupit gjykues në përbërje prej Medie Bytyqi- kryetare,  Ngadhnjim Arrni dhe Agim Kuçi- anëtarë, se atë natë kishte pranuar një mesazh telefonik nga telefoni i të ndjerit, i cili për të ishte i çuditshëm.

Ky mesazh kishte ardhur pas disa thirrjeve telefonike që i kishte bërë dëshmitari, pasi kishte dështuar takimi.

Në ora 16:17, deri në 20:00.  Unë kam mrri në Ferizaj kam prit e kam thirr Bedriun në telefon mirëpo nuk më është përgjigjur. I kam shkru sms nuk m`u ka lajmëruar, kam pritur diku rreth orës 19:00 në Ferizaj dhe pastaj jam kthyer në Gjilan. Kam provuar prapë me thirr ma ka ndërpre një herë… (Nuk kuptohet), nuk kam provuar më me thirr deri në ora 21:00 e diçka 21:20 deri sa më ka shkruar në viber, ka qenë ora 21:23, “i nderum u takova me ni sh…. në Qorrot, mfal veç edhe pak jam me to se m`ka nervozu, që po shkoj te ai qisi beka”, unë ja kom kthy në 21:48 “S`po t’kuptoj vllaqko sen” , pastaj e kom thirr unë në telefon e ka pasur ndal”- tha dëshmitari.

I njëjti tregoi se nuk e njihte të akuzuarin Jeton Vllasaliu personalisht, vetëm përmes të ndjerit, Kurse me të ndjerin bashkëpunonte lidhur me biznesin.

Dëshmitari përshkruajti raportet mes viktimës dhe të akuzuarit Jeton Vllasaliu si shumë të mirë, duke potencuar faktin se të njëjtit i ka blerë edhe harq për shtëpi.

Për këtë rast në cilësi të dëshmitarit pritej të dëgjohej edhe Durim Krajkova, por dëshminë e tij prokuroria kërkoi që ta dëgjojë në seancë të mbyllur për publikun me arsyen se gjatë dhënies së dëshmisë mund të përmenden të dhëna personale dhe familjare.

Gjykata e aprovoi këtë propozim të prokurorit, Armend Hamiti, pasi nuk kishte kundërshtim nga palët tjera në procedurë.

Biznesmeni Bedri Rexhepi ishte zhdukur që nga 8 prilli vitit 2021 dhe mbetjet e tij ishin zbuluar të dekompozuara në shtator të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.