Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, dy vëllezërit e akuzuar, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, japin detaje rreth rastit

Vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, në seancën e së mërkurës (19.02.2025) në Gjykatën e Prishtinës e kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

Të akuzuarit kanë dhanë detaje lidhur me këtë rast.

I akuzuari Jeton Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes tha se në ditën kritike kishte qenë së bashku me tani të ndjerin Bedri Rexhepi, dhe kur ishte larguar nga vetura në të cilën kishte qenë me Bedri Rexhepin, dy persona kishin mbetur me të Bedri Rexhepin dhe dy persona të tjerë me të.

“Siç e ceka në seancën e mëhershme, unë atë ditë jam largu prej veturës, kurse i ndjeri ka mbetë me  dy persona. Unë jam shoqëru nga dy të tjerët, në një distancë jo më shumë se 20-30 metra dhe ajo ka zgjatë ndoshta dy minuta” – tha i akuzuari Jeton Vllasaliu.

Tutje, i akuzuari tha se kur e kishte parë të shtrirë në tokë Bedri Rexhepin ishte munduar t’ia japë ndihmën e parë.

“Në momentin që më kanë lëshu, m’i kanë thanë dy fjalë: “Këqyr çka po bon me Bedriun se këtu e knena ki punë ti me të”. Dhe unë jam afru dhe e kam parë në tokë, jam mundu me i dhanë ndihmën e parë aq sa kam ditë dhe aq sa kam mujtë, por kur e kam parë që është e kotë dhe atë ditë kam qenë shumë i stresuar, shumë i ngarkuar, nuk kam ditë tjetër çka me bo me të, m’u ka dokë ma e rrugës për me e varros diku vet dhe atë e kam bërë”-tha Vllasaliu.

Tutje, i akuzuari Jeton Vllasaliu tha se pasi ishte munduar t’ia japë ndihmën e parë tani të ndjerit dhe pasi nuk kishte pasur efekt kjo ndihmë, ai ishte nisur për ta varrosur kufomën.

“Unë pasi që jam mundu me ia dhanë ndihmën e parë po e pash që nuk ka efekt, ndoshta nga dhënia jem e ndihmës së parë kam mundur edhe ta dëmtoj, lëndoj, e kam hapë derën e kerrit e kam shtri karrigen e parë, e kam qitë në karrige dhe kam vazhdu për në fshatin tim”- tha i akuzuari Jeton Vllasaliu.

“Unë e mora rrugën me kerr të të ndjerit dhe filluam për me shku në fshatin tim, ku e mora një kaci dhe një kazme dhe e pshtjella trupin e të ndjerit dhe po me atë makinë e çova, mua m’u dok që është vend më i sigurt për me e varrosë të ndjerin”-shtoi tutje i pandehuri.

Tutje, i akuzuari Jeton Vllasaliu tha se automjetin e viktimës e kishte lënë në arat e Janjevës.

I akuzuarit Vllasaliu tha se pasi e kishte lënë veturën e të ndjerit ishte nisur këmbë nëpër fshatin Shushicë, por pasi e kishte e kishte parë veten që nuk po mund të ecte i kishte telefonuar vëllait të tij, të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, që ta merrte dhe në hyrje të Graçanicës ishte takuar me të dhe pastaj ishte kthyer në shtëpi.

Tutje, i akuzuari Vllasaliu tha se ditën kur ishte arrestuar vëllai i tij, Nexhat Vllasaliu, dhe kunata e tij, të njëjtit i kishin bashkuar në zyrën e prokurorit.

“Pasi që mua nuk më kujtohej saktë vendi ku e kam çu pasi ka qenë natë, mbrëmje, terr, kemi diskutu me Nexhatin në zyrën e prokurorit, se më humbi vendi, nuk mujsha me e gjetë, pasi që nga paslufta unë atë vend më nuk e kam ecë, dhe nuk isha i qartë ku mundet me kanë vendi… Unë nuk e di për çka na kanë bashku, po veç kur e kanë pru edhe Nexhatin në zyrën e prokurorit dhe i kam tregu Nexhatit aty se kështu e kam varrosë po nuk me kujtohet vendi se ku është saktë”- tha i akuzuari Jeton Vllasaliu.

I akuzuari Vllasaliu tha se kishte dhënë disa versione më herët lidhur me këtë rast, porse versioni i sotëm është më i sakti.

I pyetur nga avokati i tij, Ndrec Dodaj, se pse ka dhënë versione të ndryshime për rastin, i pandehuri u përgjigj: “Po ndryshimi avokat është pasi që në zyrën e prokurorit gjatë intervistimit tim ku isha duke u marrë në pyetje nga prokurori dhe hetuesit mua më është servuar një letër përpara dhe më thanë që është urdhëresë e gjykatës, nëse nuk e pranon veprën duhet me arrestu edhe gruan tande pasi që nuk i mjaftojshin që e arrestuan mbesën 19-vjeçare, e arrestuan kunatën, e arrestuan vëllanë krejtësisht të pafajshëm”.

“Dojshin me arrestu edhe gruan time dhe kisha frikë për fëmijë pasi ishin të rinj, fëmija e vëllaut ishin vetë dhe m’u dasht me marrë një vepër që nuk e kam bërë”- tha i akuzuari Jeton Vllasaliu.

Pasi iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij, i akuzuari Jeton Vllasaliu i ka shprehur ngushëllime familjes së Bedri Rexhepit dhe tha se tutje dëshiron të shfrytëzojë të drejtën e tij të mbrohet në heshtje.

Ndryshe, i akuzuari Jeton Vllasaliu e ka vazhduar mbrojtjen e tij nga seanca e kaluar, pasi e njëjta ishte ndërprerë me kërkesën e të akuzuarit, pasi i njëjti kishte deklaruar se nuk është në gjendje të japë mbrojtjen e tij.

Në këtë seancë mbrojtjen e ka dhënë edhe i akuzuari Nexhat Vllasaliu, i cili deklaroi se nuk e di arsyen e arrestimit të tij.

“Më kanë arrestu, edhe s’di me kallëzu detaje pse më kanë arrestu. M ë akuzojnë për vrasjen e tani të ndjerit Bedri Rexhepit, më vjen keq që nuk është në mesin tonë, kurrë në jetë as s’e kam njoftë, as s’e kam ditë kush është, me bindje të plotë betohem në krye të tre fëmijëve të mi veç nëse dikush thotë që Nexhati e ka njoftë, ka pi kafe me të, unë e pranoj vdekjen për vete dhe familjen tem. Qekaq di, për një njeri që nuk e ke njoftë kurrë të arrestojnë, të burgosin, ta marrin gruan në burg, për mua ma mirë u kanë me më mbytë atë ditë sesa kur ma kanë marrë gruan, ma kanë arrestu”- tha i akuzuari Nexhat Vllasaliu.

I akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se ditën kur ishte arrestuar vëllai i tij kishte qenë dita e parë e Ramazanit, dhe vajza e të akuzuarit Jeton Vllasaliu kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë ta thirrte babanë e saj (Jetonin) pasi ai nuk po u lajmërohej.

Tutje, i njëjti tha se e kishte telefonuar disa herë vëllanë e tij, Jetonin, por ai nuk i ishte lajmëruar, dhe pas pak atë e kishin thirrur në telefon Policia dhe i kishin treguar se Jetoni është arrestuar.

I akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se pas disa ditësh e kishte thirrur në telefon hoxha i Drenasit, dhe hoxha i kishte thënë se a je në gjendje për të biseduar me familjarët e Bedri Rexhepit.

“Kemi bisedu, thash mua po më vjen keq çka ka ndodhë se nuk i kam njoftë as këta, as kurrkënd të famijes Rexhepi s’i kam njoftë, po çka di kam me kontribu, unë lidhje me këtë punë nuk kam, ju betohem thash në krye të fëmijëve që nuk kam lidhje, a që vërtetohet që unë kam lidhje diçka e s’po du me tregu unë ia u kam një gjak borxh”- tha i akuzuarit Nexhat Vllasaliu.

Tutje, i akuzuari Nexhat Vllasaliu tha  se i ishte lutur Jeton Vllasaliut që ta tregonte vendin ku e kishte varrosur të ndjerin.

I akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se ende nuk e di të vërtetën lidhur me këtë rast dhe se ai nuk ka të bëjë me këtë.

“Unë nuk kam të bëj asgjë, as s’kam ditë kurrgjëë, edhe sot kam qejf me ditë të vërtetën çka është. Unë për vete nuk kam të bëj, lidhje s’kam, as s’kam pasë, tërë jetën kam punu për familjen time, që tri vjet mbahem në burg padrejtësisht”- tha i akuzuari Nexhat Vllasaliu.

“Unë jam tu vujtë, familja jem është tu vujtë. Të vërtetën e këtij rasti krejt pasurinë tem e kisha dhanë me mujtë me e ditë cila është e vërteta”- shtoi tutje i akuzuari Nexhat Vllasaliu.

Ndryshe në fillim të seancës kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi tha se nga raporti mjekësor i datës 13.02.2025 në raport me të akuzuarin Jeton Vllasaliu gjatë qëndrimit në paraburgim, gjatë vizitës psikiatrike nuk është evidentuar ndonjë problem psikiatrik.

Pas pauzës disaminutëshe, anëtari i trupit gjykues Agim Kuqi njoftoi se seanca ndërpritet për shkak të gjendjes shëndetësore të kryetares së trupit gjykues.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale është e caktuar për në muajin mars 2025.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të  Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi (kryetare e trupit gjykues) dhe dy anëtarët Gent Beka dhe Agim Kuqi.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.

Misteri i zhdukjes së biznesmenit ishte hulumtimi të cilin e kishte transmetuar emisioni “Kallxo Përnime” në maj të vitit 2021.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com, lidhur me këtë rast penal mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.