Seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: KALLXO.com

Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, shtyhet seanca

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit nga Prashitna Bedri Rexhepi, janë sjellë sot në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas prokurorisë përfitimi material prej 30 mijë euro, dyshohet të ketë qenë arsyeja e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina.

Pas kërkesës së mbrojtësve të të akuzuarve se të njëjtit nuk janë pajisur më shkresat e lëndës nga ana e prokurorisë, është shtyrë seanca  e cila ishte e paraparë të mbahet sot

Alberina Foniqi kërkoi nga gjykata që senca e sotme të shtyhet pasi që, prokuroria nuk e ka pajisur me shkresat e lëndës.

“Propozoj gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një afat të caktuar që neve të na jepet mundësia që të krijojmë një pasqyrë më të hollësishme rreth kësaj çështje, në mënyrë që të procedojmë tutje ”- tha mbrojtësja e Jeton Vllasaliut, Alberina Foniqi.

Kërkese të njëjtë kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, Shemsedin Piraj, i cili tha se me qëllim që të procedojnë tutje të pandehurit duhet të pajisen me shkresa të lëndës.

“Unë e kuptoj se kemi të bëjmë me një çështje serioze mirëpo për me procedu më tutje kërkesë eksplicite është që të pandehurit të pajisen me shkresa”- tha Piraj.

Ndërsa prokurori Armend Hamiti tha që gjatë bartjes së incizimeve në prokurori kishin hasur në disa probleme teknike dhe se brenda javës tjetër palët do të pajisen me shkresa.

“Gjatë bartjes së këtyre incizimeve…, në prokurori kanë vërejtur se janë disa vështirësi në disa CD, unë besoj që javën tjetër do të jenë të gatshme”- tha prokurori Hamiti.

Seanca e radhës ku pritet që të akuzuarit të deklarohen në lidhje me veprat që ju vihen në barrë do të mbahet më 14 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës së prokurorisë  Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta biznesmenin nga Prishtina Bedri Rexhepin. E tëra kjo sipas Prokurorisë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Tutje sipas aktakuzës Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021 të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës me të arritur tek shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e  privon nga jeta Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Rexhepi kishte shkuar deri tek shtëpia e të akuzuarve, Jetoni e kishte dërguar veturën e Rexhepit në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhatin i cili i kishte dalur në ndihmë duke e marrur me veturë të tij personale nga vendi ku Jetoni kishte “Fshehur” veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim Nexhati sipas dosjes së Prokurorisë kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.

Sipas dosjes një ditë pas, të pandehurit së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në vendin ku ishte kufoma, dhe në bashkëkryerje e dërgojnë kufomën në vendin malor “Mali i madh në Vllasali”.

Pastaj i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishte planifikuar më herët për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur gjurmët deri më datën 30.09.2022.

E me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë si dhe veprën penale dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK