Foto: KALLXO.com
Gjilan, të premten shpallet aktgjykimi në rastin e zyrtarit komunal dhe fermerit
Gjykata e Gjilanit do të shpallë të premten aktgjykimin ndaj zyrtarit të Komunës së Gjilanit, Zvonko Petroviq dhe fermerit Bojan Trajkoviq.
Petroviq po akuzohet nga Prokuroria e Gjilanit për keqpërdorim të detyrës zyrtare e Trajkoviq për mashtrim me subvencione.
Sipas Prokurorisë, Zvonko Petroviq nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 në vazhdimësi në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan në cilësinë e zyrtarit për vlerësim dhe verifikim të aplikacioneve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për të akuzuarin tjetër Bojan Trajkoviq ka tejkaluar detyrat e tij zyrtare.
Tutje sipas aktit akuzues, Petroviq nuk u është përmbajtur kritereve dhe vlerësimit të dokumentacionit duke i mundësuar të akuzuarit Trajkoviq përfitimin e subvencioneve nga viti 2015 deri ne vitin 2020 duke i shkaktuar kështu dëme buxhetit të Kosovës në shumën prej 2,907.00 euro.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari tjetër Bojan Trajkoviq nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 në vazhdimësi në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan në cilësinë e fermerit ka paraqitur të dhëna të pasakta për aprovim të subvencioneve.
Aktakuza tutje sqaron se nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 i akuzuari Trajkoviq e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 2,907.00 euro.
Në seancën e sotme, e cila ishte e para e shqyrtimit gjyqësor, u dëgjua dëshmitari Bejtulla Pira, i cili tha se ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe se mbetet pranë saj.
Gjithashtu tha se dokumentet për aplikim për subvencione dorëzohen në Drejtorinë e Komunës përkatëse dhe se pas plotësimit aplikacionet në Ministri i dorëzon Drejtoria përkatëse.
“Rastin konkret për të cilin akuzohen të akuzuarit unë nuk e kam kontrolluar pasi që nuk më ka rënë mua dhe nuk kam pasur si ta kontrolloj. Nuk pranohen aplikacionet nëse aplikanti nuk është pronar i tokës apo nëse nuk ka ndonjë kontratë për shfrytëzimin e tokës”, tha dëshmitari Pira.
Tutje u dëgjua eksperti financiar, Ibrahim Tahiri, i cili tha se mbetet pranë ekspertizës së tij të cilën e ka bërë dhe të cilën e ka dorëzuar në Gjykatë.
Gjithashtu tha se i gjithë dëmi i shkaktuar është afërsisht 200 euro.
Në vazhdim prokurori Shaban Spahiu e bëri precizimin e aktakuzës duke shtuar se nga viti 2015 deri në vitin 2020, dëmi i shkaktuar nga i akuzuari Bojan Trajkoviq është 199.71 euro.
Gjithashtu tha se e bën edhe ndryshimin e aktakuzës lidhur me të akuzuarin Bojan Trajkoviq pasi i njëjti ka përfituar materialisht shumën prej 199.71 euro.
Kurse të akuzuarit në fund u deklaruan të pafajshëm pasi thanë se nuk i kanë kryer veprat penale me të cilat Prokuroria e Gjilanit i akuzon. Nga Gjykata kërkuan të lirohen nga akuza pasi sipas tyre janë plotësisht të pafajshëm.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.