Dosja për zyrtarët e akuzuar për mashtrimin me subvencione në Gjilan

Të akuzuar për mashtrim me subvencione dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare Zvonko Petroviq dhe Bojan Trajkoviq, kanë dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë. Zvonko Petroviq nga Prokuroria po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, kurse Bojan Trajkoviq po akuzohet për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Sipas Prokurorisë, Zvonko Petroviq nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 në vazhdimësi në drejtorinë e bujqësisë në Gjilan në cilësinë e zyrtarit për vlerësim dhe verifikim të aplikacioneve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për të akuzuarin tjetër Bojan Trajkoviq ka tejkaluar detyrat e tij zyrtare. Tutje sipas aktit akuzues, Petroviq nuk ju ka përmbajtur kritereve dhe vlerësimit të dokumentacionit duke i mundësuar të akuzuarit Trajkoviq përfitimin e subvencioneve nga viti 2015 deri ne vitin 2020 duke i shkaktuar kështu dëme buxhetit të Kosovës në shumën prej 2,907.00 euro.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari tjetër Bojan Trajkoviq nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020 në vazhdimësi në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan në cilësinë e fermerit ka paraqitur të dhëna të pa sakta për aprovim të subvencioneve. Aktakuza tutje sqaron se nga viti 2015 e deri në fund të vitit 2020, i akuzuari Trajkoviq e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 2,907.00 euro.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale që atyre u vihen në barrë. Seanca e sotme u ndërpre për t`iu dhënë mundësi të akuzuarve të bëjnë kundërshtimin e aktakuzes.

 

Kujtojmë se të akuzuarit në këtë rast nga data 13 mars për 30 ditë kanë qenë në masën e paraburgimit.

Kallxo.com pati raportuar edhe në ditën kur këtyre të akuzuarve u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh – LINK