Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit
Akuzat e Prokurorisë për dëmin mbi 300 mijë euro, vazhdon gjykimi në rastin e dy ish-partnerëve që po përballen në Gjykatë
Në Gjykatën Themelore në Gjilan më 02.06.2026 është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Shefik Nezirit i akuzuar për veprat penale “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike” dhe “Mashtrim”.
I pandehuri Shefik Neziri nga Prokuroria në Gjilan po akuzohet se ka përpiluar dhe përdorur fatura e dokumente të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe inicimit të procedurave përmbarimore.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Shefik Neziri me këto veprime, i ka shkaktuar Ismet Sylejmanit (ish-partnerë) dëm material në shumën 317,122.75 euro.
Neziri tha se më Ismet Sylejmanin kanë qenë hisetarë në menaxhim në disa kompani.
Gjatë dhënies së mbrojtjes, Neziri tha se bashkëpunimin me Ismet Sylejmanin e ka filluar nga viti 1994 deri në vitin 2017.
Neziri tha se në kompaninë Vatani SHPK pronar i së cilës është Ismet Sylejmani, ka pasur pozitën e drejtorit financiar.
Kompetencat e tij si drejtor në këtë kompani, Neziri tha se kanë qenë takimet në Kosovë dhe jashtë Kosovës, ka marrë pjesë në bisedime por fjala e tij nuk ka qenë përfundimtare.
Neziri tha se raportet e tij me Sylejmanin kanë qenë të shkëlqyeshme deri në fundin e vitit 2016, fillimi i vitit 2017 kur kishte përfunduar bashkëpunimi mes tyre.
I pandehuri tha se në kompaninë Vatani SHPK pronar në dokumenta ka qenë Ismet Sylejmani, ndërsa tha se të njëjtit kanë pasur marrëveshje gojore që janë 50-50 aksionarë në këtë kompani.
Neziri deklaroi edhe kompani të tjera në të cilat tha se kanë qenë aksionarë ai dhe Sylejmani.
Sipas Nezirit, përshkallëzimi i raporteve mes tij dhe Sylejmanit ka ndodhur në dhjetor të vitit 2016 ku Gabrielle Hidegard pronare e Mebilisitit, kishte kërkuar nga Neziri 20 mijë euro dhe ai nuk kishte pranuar të ia japë këto të holla të njëjtës.
Mirëpo sipas të akuzuarit, Sylejmani pa aprovimin e tij i kishte tërhequr nga banka 20 mijë euro dhe ja kishte dhënë të njëjtës.
Lidhur me faturat që janë dërguar në procedurë përmbarimore, i akuzuari tha se ka qenë në dijeni edhe ai edhe Sylejmani.
I akuzuari tha se gjatë kohës që kanë qenë bashkëpuntorë me Sylejmanin nuk e kanë diskutuar çështjen e pagesave në mes veti, mirëpo kur të njëjtit i kanë ndarë rrugët, secili i ka marrë obligimet e kompanive të cilat i kanë udhëhequr.
Tutje, Neziri tha se nuk e kanë pasur për detyrë të njoftojnë njëri tjetrin për pagesat e ndryshme që janë bërë, pasi sipas tij ata kanë qenë një, dhe kur ju janë nevojitur para secili i ka marrë vet.
Sipas të akuzuarit, borxhi i cili i është ngarkuar kompanisë Vatani SHPK, ka mbetur i pa paguar nga Sylejmani, pasi sipas tij secili e ka marrë për obligim që në momentin e ndarjes secili prej tyre të i kryejë obligimet e veta dhe t’i paguajë borxhet.
I akuzuari tha se për këtë borxh ka pasur dijeni edhe ai edhe Sylejmani.
I akuzuari tha se asnjë faturat e mallit nuk lëshohet pa dijeninë e tij, por gjatë procesit ditor nuk është gjithmonë e nevojshme që të thirret ai për lëshimin e faturave.
Ndryshe me të filluar seanca, procesi gjyqësor ka kaluar në procedurën e adminsitrimit të provave materiale.
Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet në fillim të muajit korrik 2026, ku palët në procedurë pritet të japin fjalët e tyre përfundimtare.
Nga radhët e Prokurorisë Themelore në Gjilan, prezent në seancë ishte prokurori Adnan Hajdari.
Ky rast po trajtohet në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndërsa gjyqtar i rastit është Sabedin Mushica.
Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet në fillim të muajit korrik 2026, ku palët në procedurë pritet të japin fjalët e tyre përfundimtare.
DOSJA E PROKURORISË
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan të ngritur më datë 27.12.2023, thuhet se i pandehuri Shefik Neziri në cilësinë e drejtorit të personave juridikë Bitex SHPK dhe Niga SHPK me seli në Prishtinë, akuzohet se ka kryer veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit pasuror.
Sipas aktakuzës, Neziri akuzohet se më 25 shtator 2018 në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete ose për persona të tjerë, ka shkelur rregullat e brendshme të kompanisë duke përpiluar dokumente me përmbajtje të rreme.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre dokumenteve Neziri ka vënë në lajthim organet drejtuese të organizatës së biznesit gjatë vendimmarrjes lidhur me veprimtarinë menaxhuese.
Tutje, sipas pretendimeve të Prokurorisë, i pandehuri ka iniciuar procedurë përmbarimore për ekzekutimin e një shume prej 317,122.75 euro, duke u mbështetur në fatura të rreme dhe për mallra që, sipas aktakuzës, nuk i janë dorëzuar bashkëpronarit faktik të kompanisë Vatani SHPK, Ismet Sylejmanit, me të cilin kishte qenë ortak dhe aksionar.
Prokuroria në Gjilan, pretendon se si rezultat i këtyre veprimeve nga ana e të pandehurit, të dëmtuarit Ismet Sylejmani i është shkaktuar dëm material në shumën prej 317,122.75 euro.
Me këtë i pandehuri po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Tutje në dispozitivin e dytë të kësaj aktakuze, thuhet se i pandehuri Shefik Neziri prej muajit Dhjetor 2015, deri në muajin Dhjetor të vitit 2016 duke e përdorur metodën e mashtrimit, me dashje ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Ismet Sylejmani, ashtu që ka përpiluar dhe lëshuar fatura të rreme, pa i dorëzuar mallërat e përshkruara në fatura të dëmtuarit dhe duke paguar tatim për këto fatura në ATK.
Në aktakuzë thuhet se e gjithë kjo është bërë, me qëllim të inicimit të procedurës përmbarimore përmes këtyre faturave të rrejshme.
Sipas aktakuzës, Neziri me veprimet e tij ka mashtruar të dëmtuarin Ismet Sylejmani duke i shkaktuar dëm material në shumë të përgjithshme prej 317.122,75 euro.
Me këto veprime i pandehuri Shefik Neziri po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Kujtojmë se KALLXO.com më datë 06.05.2026 ka raportuar se në këtë çështje penale në seancën e mbajtur më 23.04.2026 ishte shfaqur publikisht, ish-gjyqtari i Apelit dhe ish-kryetari i Gjykatës së Gjilanit, Zyhdi Haziri. Për prezencën e tij në këtë seancë njëra nga palët kishte pretenduar se ka manipulime.
Në këtë rast, Shefik Neziri është i akuzuar për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Çështja lidhet me procesin e ndarjes së pasurisë në mes dy partnerëve në biznes, Ismet Sylejmanit dhe Shefik Nezirit.
Sylejmani në këtë proces publikisht kishte ngritur dyshime për prezencën e ish-gjyqtarit Haziri në gjykatore. Në procesverbalin e procesit të cilin e ka parë KALLXO.com, Sylejmani ka ngritur pretendime se ish-gjyqtari Haziri ka ndikuar në çështjet e tij.
“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në gjykatore kam vërejtur se prezanton edhe personi i quajtur Zyhdi Haziri, i cili ishte kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, ish-gjyqtar i Apelit në Prishtinë, familjar edhe i Shefikut edhe i imi, ky Zuhdiu prej 2016 kurrë nuk ka kontaktuar me mua prej kur jam ndarë me Shefikun, dhe kërkoj që i njëjti të largohet nga gjykatorja sepse unë konsideroj se i njëjti ka manipuluar këtë proces”– thuhet në procesverbalin e datës 23.04.2026.
Personi që ka ngritur këtë shqetësim, Ismet Sylejmani, publikisht kishte kërkuar që prezenca e Hazirit të trajtohet edhe më thellë në këtë rast.
“Unë e kam ditur se dikush po e pengon procesin sepse lëndët janë zvarritur shumë që nga viti 2016 kur kemi filluar procesin e ndarjes së aksioneve. Jemi në disa raste në gjykime në penale e civile sepse ne kemi qenë ortak dhe kemi punu bashkë me Shefikun. Mirëpo ajo që unë kam dyshuar gjithmonë m`u argumentua edhe më shumë në seancën e datës 23.04.2026, kur Zyhdi Haziri, i cili ishte kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, ish-gjyqtar i Apelit në Prishtinë vjen dhe ulet në publik në gjykatore. Mua ky fakt më ka shqetësuar shumë dhe kam kërkuar me largu nga gjykatorja por gjyqtari nuk e aprovoi kërkesën time”- thekson Sylejmani.
Për ta sqaruar prezencën e Hazirit në gjykatore, KALLXO.com kishte kontaktuar të gjitha palët e përfshira në rast. Vet Haziri kishte konfirmuar se ishte në proces duke u arsyetuar se në atë rast ishte ulur në publik të asaj seance për shkak se po priste një ekspert gjyqësor.
“Po, kam pasë me pritë një ekspert e kesh t’u nejtë badihava e thashë hajt po hi veç po dëgjoj edhe kam dalë pas një ore, as një orë s’kam nejtë, seancat janë publike. S’kemi nevojë me u përgjigj më shumë kurrgjë hiç, çka thotë ai mu s’më intereson aspak, ai është mendim i tij i lirë, çka don le të thotë”- kishte thënë Haziri.
Shefik Neziri dhe Ismet Sylejmani janë në disa procese gjyqësore për ndarjen e aksioneve të kompanive që i kishin në ortakëri. Rasti ka përfunduar në një proces penal, pasi Neziri po akuzohet për manipulimin e disa faturave. Akuzat janë mohuar nga ai në proces ndërsa së fundmi në sallën e gjykimit për rastin është shfaqur njeri nga njerëzit me influencë në sistemin e drejtësisë, ish-kryetari i gjykatës dhe ish-gjyqtari i Apelit, Zyhdi Haziri. Shefik Neziri i cili para seancës kishte pasur takim me ish-kryetarin Haziri, nuk kishte pranuar të deklarohet për takimet dhe prezencën e Hazirit në procesin e tij.
“Zotëri, mos me thirr për këtë punë, gjykimi është publik, mos më thirr më kurrë”- kishte thënë shkurt Neziri.
Për ta sqaruar edhe më tutje situatën, ekipi kishte tentuar të marrë edhe një qëndrim nga mbrojtja e Shefikut. Avokati Adem Vokshi, i cili e përfaqëson në këtë lëndë kishte pranuar se e ka gjetur Hazirin në kafe duke qëndruar me klientin e tij por ai nuk kishte konsideruar që prezenca e tij mund të jetë ndikim në këtë proces.
“Nuk ka problem, çka ka të keqe që paskemi nejtë aty, unë kur shkova me u taku me klientin para se me shku në seancë, aty ish kanë klienti ulur me ish-kryetarin e gjykatës edhe ishin t’u pi kafe, u ula edhe unë e piva një kafe edhe prej aty shkuam në gjykim edhe ai hyri në sallën e gjykimit si publik. Nuk ka nevojë me arsytu fare kurrgjë, ai ka hy si publik edhe kur erdhi gjykatësi aty u çu ky Ismet Sylejmani edhe kërkoi me përjashtu atë ish-kryetarin e gjykatës se ai po u njifke me dy palët por i paska raportet e keqësuara me Ismetin edhe gjyqtari e konstatoi në proces se po kërkohet përjashtimi i tij edhe e pruni vendimin e refuzoi pjesën për përjashtim sepse gjykimi është publik”- kishte thënë avokati Vokshi.
Procesi në ndarjen e ortakëve ka nisur shumë vite më parë. Paralelisht me lëndën penale ku është shfaqur ish-gjyqtari i Apelit, biznesmenët janë duke trajtuar edhe disa lëndë të tjera në Gjykatën Komerciale dhe një çështje përmbarimore, e cila ishte vendosur në Gjykatën e Gjilanit por e cila u rikthye në shqyrtim nga Gjykata e Apelit për shkelje procedurale.
Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë në momentin e përfundimit të mandatit të tyre kanë të drejtë të ushtrojnë profesione të lira si avokat apo këshilltar ligjor. Një pjesë e madhe e ish-krerëve të drejtësisë janë angazhuar së fundmi në mbrojtën e palëve të ndryshme.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për ish-kryeprokurorë dhe ish-kryetarë gjykatash kanë marrë raste sensitive për t’i përfaqësuar në gjykatë si avokat apo këshilltar ligjor.