Foto: Facebook, UNMIK
Vizita e shefes së UNMIK-ut në Beograd, çka bisedoi me krerët e shtetit serb?
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh gjatë vizitës së saj në Beograd, më 11.04.2024 dhe 12.04.2024, është takuar me udhëheqës të shtetit serb.
Sipas një njoftimi, Ziadeh është takuar me ushtruesin e detyrës së kryeministrit dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Përveç tyre, ajo ka takuar edhe përfaqësues nga trupa diplomatike me qendër në Beograd. Ziadeh ka informuar për punën e vazhdueshme të UNMIK-ut në ndërtimin e besimit në Kosovë, gjithashtu edhe për plane të ardhshme në këtë fushë.
Në njoftim thuhet se Ziadeh ka diskutuar një numër çështjesh aktuale, si edhe Raportin e ardhshëm të Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara para sesionit të planfikuar të Këshillit të Sigurisë në UNMIK, më vonë këtë muaj.
Nga çështjet aktuale që ajo ka diskutuar, janë çështja e dinarit, zgjedhjet që do të mbahen për shkarkimin e katër kryetarëve në veri të Kosovës dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ziadeh theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të mira për të gjetur zgjidhje kompromisi brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE dhe Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Këto përfshinin përpjekjet që po ndërmerren për zgjidhjen e çështjeve të valutës në zonat me shumicë serbe të Kosovës, perspektivat për zgjedhje të reja lokale në komunat veriore të Kosovës dhe hapat e nevojshëm drejt themelimit të Asociacionit, Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe. Diskutimet gjithashtu mbuluan edhe një numër çështjesh për forcimin e paqes dhe stabilitetit regjional” – thuhet në njoftimin e UNMIK-ut, më 12.04.2024.
Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.
Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.
SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.
Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka shkruar pas takimit për çështjen e dinarit serb që pati me kryenegociatorët e dy vendeve, më 04.04.2024.
Lajçak për takimin që pati me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se “ia dolën të mbushnin disa boshllëqe”.
“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të mbushim disa boshllëqe midis propozimeve të dy palëve” – tha emisari i BE-së.
Bislimi pas takimit tha se është pajtuar me një propozim të emisarit Lajçak, sa i përket çështjes së Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), por sipas tij, Serbia ka kërkuar kohë shtesë.
Në një deklaratë pas takimeve në Bruksel më 04.04.2024, Bislimi tha se Lajçaku ka nxjerrë një propozim “të konsoliduar, konstruktiv dhe në rrugën e duhur”, për të gjetur një zgjidhje e cila, sipas Bislimit, më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë dhe e respekton Rregulloren e BQK-së.
Në anën tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë” – tha ai.
Votimi për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit pritet të mbahet më 21.04.2024.
Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar më 07.04.2024 se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ata kanë bërë thirrje që qytetarët të mos dalin në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.
Ndërsa, më 08.04.2024, Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve njoftoi se katër anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, kanë dhënë dorëheqje pasi ishin emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të Listës Serbe.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një takim me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, më 12.04.2024, ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, duke theksuar sigurinë në veri të vendit.
Sa i përket veriut të Kosovës, teksa ka përmendur se ndaj komunitetit serb ka sulme të vazhdueshme, Sveçla e ka njoftuar ambasadorin Westerlund për angazhimet e institucioneve të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri.
Sulmeve të vazhdueshme ndaj serbëve, ministri Sveçla u është referuar pas raportimeve për thirrjen e Listës Serbe që qytetarët të mos votojnë në zgjedhjet e datës 21 prill.
Së fundmi, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, më 10.04.2024, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.
Ata kanë theksuar se bojkotimi i votimit të datës 21 prill, nuk sjellë asnjë përfitim për qytetarët dhe u kanë bërë thirrje Listës Serbe që ta shfrytëzojnë mundësinë e votimit.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, ka prezantuar më 08.03.2024 numrin e qytetarëve të cilat kanë nënshkruar këto peticione.
Në Komunën e Leposaviqit 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit që përbënë 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.
“Nga komuna e Leposaviqit, lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind për këtë komunë”- ka thënë Ahmetaj.
Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit: në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.
Bashkimi Europian më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.
Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Kurse, sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në kuadër të procesit të dialogut, SHBA dhe BE në tetor të vitit 2023 i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.
Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët si kërkesë e ndërkombëtarëve.
Më 26.10.2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Mirosllav Lajçak.
Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut të vetëmenaxhimit.
Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar sesa ai i vitit 2013.
Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë në vazhdimësi kanë bërë thirrje për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.