Anëtarët e KQZ-së nga Lista Serbe japin dorëheqje nga komisionet komunale zgjedhore në veri
Katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut kanë dhënë dorëheqje, pasi ishin emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të Listës Serbe.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutivë, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së” – ka thënë Elezi.
Lista Serbe ka njoftuar më 07.04.2024 se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21.04.2024.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21.04.2024, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendase serbe nuk ka pranuar kryetarët shqiptarë.
Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.