Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Lajçak pas takimit për dinarin: Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka shkruar pas takimit për çështjen e dinarit serb që pati me kryenegociatorët e dy vendeve.

Lajçak për takimin që pati me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se “ia dolën të mbushnin disa boshllëqe”.

“Prita një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të mbushim disa boshllëqe midis propozimeve të dy palëve” – tha emisari i BE-së.

Tutje ai tha se në planin e tij është që të vazhdoj diskutimet të bazuara në idetë e BE-së për kompromis.

Bislimi pas takimit tha se është pajtuar me një propozim të emisarit Lajçak, sa i përket çështjes së Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), por sipas tij, Serbia ka kërkuar kohë shtesë.

Në një deklaratë pas takimeve në Bruksel më 04.04.2024, Bislimi tha se Lajçaku ka nxjerrë një propozim “të konsoliduar, konstruktiv dhe në rrugën e duhur”, për të gjetur një zgjidhje e cila, sipas Bislimit, më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë dhe e respekton Rregulloren e BQK-së.

Në anën tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë” – tha ai.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.