Foto: BQK

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së, BE-ja kërkon periudhë të gjatë tranzicioni

Sot më 1 shkurt, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka kërkuar që Kosova “të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja’”– tha Stano.

Kjo sipas Stanos për shkak që rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

“Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”- është deklaruar Stano.

Rregullorja për operacionet me paratë e gatshme e miratuar nga BQK ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve për shkak të nenit që parasheh Euron si valutë të vetme si mjet i pagesës në Kosovë.

BQK kishte sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Në Kosovë, qytetarët serbë në komunat me shumicë serbe kryejnë pagesa si dhe paguhen me dinarë.

Vendimi i BQK-së për dinarin, shefi i Zyrës së BE-së u takua me guvernatorin Ahmet Ismaili

 

QUINT kërkon pezullimin e vendimit të BQK-së për dinarin

Bislimi: Rregullorja e BQK nuk e ndalon, nuk e lejon e as nuk merret me dinarin serb