Familjarët e viktimave në Qyshk, 1999. Foto: Fred Abrahams/Human Rights Watch
Dënimet e Serbisë për masakrat e Kosovës “shumë pak, shumë vonë”
Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd tha se dënimet e dhëna nga një gjykatë serbe për shtatë ish-ushtarë të Ushtrisë Jugosllave për masakrat e civilëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999 nuk pasqyrojnë seriozitetin e krimeve.
OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare dënoi ato që i përshkroi si dënime të buta të dhëna për ish-ushtarët e Ushtrisë Jugosllave të cilët u dënuan për krime lufte nga një gjykatë e Beogradit këtë javë për përfshirjen e tyre në masakrat në katër fshatra gjatë luftës në Kosovë në prill dhe maj 1999.
“Fondi për të Drejtën Humanitare beson se shumica e të pandehurve janë dënuar në mënyrë të papërshtatshme me dënime të ulëta, disa edhe nën minimumin ligjor për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, veçanërisht nëse merret parasysh numri i viktimave civile në këto krime si dhe mënyra e vrasjes së tyre” – thuhet në njoftimin e FDH-së.
Gjykata e Lartë e Beogradit shpalli të mërkurën shtatë ish-anëtarë të Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave fajtorë për krime lufte për përfshirjen e tyre në sulmet vdekjeprurëse në katër fshatra në zonën e Pejës në prill dhe maj 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë sulmeve, u dogjën shtëpi, u dëbuan familje dhe mbi 100 civilë shqiptarë të Kosovës u vranë.
Komandanti i Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave, Toplica Miladinoviq, u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e vartësve të tij të kryenin krime lufte në katër fshatrat e Kosovës – Lubeniq, Qyshk, Pavlan, Zahaq.
Gjashtë anëtarë të njësisë u dënuan gjithashtu me burgim, ndërsa dy u shpallën të pafajshëm.
Vendimi i shkallës së parë erdhi pas një rigjykimi dhe një procesi ligjor që ka zgjatur deri më tani për 14 vjet.
FDH-ja vuri në dukje se tre nga të pandehurit fillestarë kanë vdekur ndërkohë, dy janë shpallur të paaftë për gjykim dhe një është ende në arrati.
Ajo e përshkroi rezultatin si “shumë pak, shumë vonë” dhe tha se vendimi “nuk solli drejtësi për viktimat e krimit, as dënim adekuat për autorët”.
FDH-ja gjithashtu vuri në dukje se policia serbe dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme nuk janë akuzuar për përfshirjen e tyre të supozuar në vrasjet dhe përpjekjet e mëpasshme për fshehjen e krimit, kur trupat u transportuan në Serbi dhe u fshehën në varre masive.
“Theksojmë se gjatë procedurës, roli i anëtarëve të Ministrisë së Brendshme në organizimin, ekzekutimin dhe fshehjen e krimit mbeti i paqartë, edhe pse dëshmitarë, por edhe të pandehurit individualë, folën për rolin e tyre. Përkundër këtyre provave, prokuroria nuk ka hetuar pretendimet për pjesëmarrjen e tyre në këto krime” – tha FDH-ja.
Fred Abrahams, i cili punoi në raportet për krimet në Kosovë për Human Rights Watch gjatë dhe pas luftës, e quajti vendimin një “rezultat të përzier”.
Abrahams e përshkroi dënimin me 20 vjet burg dhënë komandantit të Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave Miladinoviq si “të rëndësishëm”, por vuri në dukje se prokuroria serbe për krimet e luftës “nuk shkoi më lart” dhe më shumë komandantë të lartë ishin “mbrojtur” nga aktakuzat.
Ai gjithashtu theksoi se mbrojtja mund të apelojë kundër vendimit të shkallës së parë të kësaj jave.
“Njëzet e pesë vjet që nga krimet, çështja zvarritet” – tha ai në një postim në X (ish-Twitter) pas vendimit të datës 24.04.2024.
Abrahams më tej vuri në dukje se kishte pak mbulim mediatik të procedurave si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.
“Pritet mosinteresimi i mediave serbe, por jam i befasuar nga mungesa e vëmendjes për një gjyq të madh krimesh lufte në Kosovë” – tha ai.
Dokumentari me metrazh të gjatë i BIRN “Të Paidentifikuarit”, i publikuar në vitin 2015, hetoi komandantët që urdhëruan sulmet në katër fshatrat dhe zhvendosjen e trupave të viktimave në varrezat masive pranë Beogradit në Serbi në një tentativë për të mbuluar krimin.