Bashkimi Evropian kërkon që vendimi i BQK-së për dinarin të adresohet në kuadër të dialogut
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Bashkimi Evropia pret që çështja e vendimit të BQK-së për dinarin të adresohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Ai tha se BE-ja bën thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar”.
“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”- ka thënë ai në një konferencë për media.
Sipas tij, rregullorja ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia.
“BE-ja është në dijeni për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”- tha Stano.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të shtyhet zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.
Kështu ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier sot, teksa ka njoftuar se është takuar me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.
“Sot pata një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”- ka shkruar ai në “X”.
Ndërsa, Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se në ketë takim është folur për aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për operacionet me para të gatshme dhe efektet e saj, duke shtuar se e njëjta nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë.
Takimi i guvernatorit me ambasadorin amerikan, deklarohet BQK-ja