Takimi i ministrit Xhelal Sveçla dhe ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, Foto: Xhelal Sveçla/Facebook
Takimi me ambasadorin e Suedisë, Sveçla: Po punojmë në zbardhjen e sulmeve ndaj qytetarëve serbë që të jetojnë të qetë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të frytshëm taimin me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Përmes një njoftimi, ministri Sveçla ka thënë se kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, duke theksuar sigurinë në veri të vendit.
Sa i përket veriut të Kosovës, teksa ka përmendur se ndaj komunitetit serb ka sulme të vazhdueshme, Sveçla e ka njoftuar ambasadorin Westerlund për angazhimet e institucioneve të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri.
“Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e vendit tonë. E njoftova Ambasadorin për angazhimet e institucioneve tona në katër komunat veriore, të cilat sipas mandatit të tyre janë çdo ditë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë. Ndava shqetësimin për sulmet e vazhdueshme ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, si veprime që pengojnë bashkëpunimin e tyre me institucionet tona” – ka shkruar ministri Sveçla, në profilin e tij në Facebook më 12.04.2024.
Sipas Sveçlës, po punohet në zbardhjen e sulmeve ndaj qytetarëve serbë.
“Po punojmë aktivisht në zbardhjen e këtyre rasteve, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë të qetë” – ka njoftuar Sveçla.
Si përfundim, Sveçla ka vlerësuar se me Suedinë gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer dhe se me ambasadorin Westerlund kanë biseduar edhe për mundësitë e zgjerimit të mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi.
Sulmeve të vazhdueshme ndaj serbëve, ministri Sveçla u referohet pas raportimeve se Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka bërë thirrje që qytetarët të mos dalin në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit që pritet të mbahet më 21.04.2024.
Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar më 07.04.2024 se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ndërsa, më 08.04.2024, Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve njoftoi se katër anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, kanë dhënë dorëheqje pasi ishin emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të Listës Serbe.
Së fundmi, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, më 10.04.2024, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.
Ata kanë theksuar se bojkotimi i votimit të datës 21 prill, nuk sjellë asnjë përfitim për qytetarët dhe u kanë bërë thirrje Listës Serbe që ta shfrytëzojnë mundësinë e votimit.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka prezantuar më 08.03.2024 numrin e qytetarëve të cilat kanë nënshkruar këto peticione.
Në Komunën e Leposaviqit 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit që përbënë 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.
“Nga komuna e Leposaviqit, lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind për këtë komunë”- ka thënë Ahmetaj.
Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit: në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.
Bashkimi Europian më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.
Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.