Rasti Toka - Azem Syla i akuzuar - 11.05.2023

'Toka' - Shtyhet gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve

Gjykimi ndaj 18 të akuzuarve në rastin e njohur si “Toka”,  në të cilin grup bën pjesë edhe Azem Syla, nuk arriti të mbahej sot në Gjykatën e Prishtinës, pasi disa prej mbrojtësve të të akuzuarve u deklaruan se nuk janë të pajisur me shkresën e konkretizimit të provave të prokurorisë.

Konkretizimi i provave ishte kërkuar nga trupi gjykues i mëhershëm por që tash gjykimi udhëhiqet nga gjyqtari, Arben Hoti, Mentor Bajraktari e Lutfi Shala, anëtarë.

Meqenëse disa prej mbrojtësve ishin angazhuar së fundmi, të njëjtit u deklaruan se nuk janë pajisur me këtë shkresë, kështu të njëjtit u deklaruan se nuk mund të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e prokurorisë pa analizuar shkresën “Konkretizimi i Provave”.

Në këto rrethana seanca e sotme nuk vazhdoi tutje duke paraparë që seanca e datës 7 shkurt të anulohet dhe e radhës të caktohet më 14 shkurt.

Në këtë përveç Sylës të akuzuar janë edhe Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK