Sulmi ndaj infermierëve në QKMF, reagon kryetari i Podujevës

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka dënuar ashpër sulmin fizik dhe verbal ndaj dy punëtorëve shëndetëorë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në këtë qytet.

QKMF ka njoftuar se më 12.04.2024, rreth mesnatës një infermiere është sulmuar verbalisht e një infermier fizikisht.

“I bëj thirrje organeve të rendit ta trajtojnë shpejt dhe me prioritet këtë rast dhe keqbërësi ta marrë dënimin meritor për kanosje fizike ndaj zyrtarëve publik” – ka shkruar Bulliqi në Facebook më 13.04.2024

Tolerimi i sulmeve të tilla, sipas tij krijon precedent të rrezikshëm për duke nxitur pasiguri në punë në mesin e komunitetit shëndetësor.

Ai u ka uruar infermierëve shërim të shpejtë.

QKMF ka njoftuar se rastin e kaën paraqitur në polici.

“Mbrëmë rreth mesnatës derisa ekipi emergjent ishte në detyrë duke kryer si gjithmonë me përgjegjësi të lartë shërbimin ndaj qytetarëve person i pa përgjegjshëm pengon mbarëvajtjen e punës duke filluar me fyerje e kanosje ndaj infermieres derisa eskalon edhe me dhunë fizike ndaj infermierit tjetër të ekipit” – thuhet në njoftimin e QKMF-së më 13.04.2024.

KALLXO.com ka kontaktuar me policinë për të marrë më shumë informacione për këtë rast. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se ende nuk kanë informacion në lidhje me këtë rast.