QKMF podujeve

QKMF në Podujevë thotë se dikush sulmoi fizikisht dhe verbalisht dy infermierë në vendin e punës

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë ka njoftuar se një infermier është sulmuar fizikisht e një infermiere është fyer e kanosur nga një person tjetër.

“Mbrëmë rreth mesnatës derisa ekipi emergjent ishte në detyrë duke kryer si gjithmonë me përgjegjësi të lartë shërbimin ndaj qytetarëve person i pa përgjegjshëm pengon mbarëvajtjen e punës duke filluar me fyerje e kanosje ndaj infermieres derisa eskalon edhe me dhunë fizike ndaj infermierit tjetër të ekipit” – thuhet në njoftimin e QKMF-së më 13.04.2024.

Rasti, sipas njoftimit është paraqitur menjëherë në polici dhe po presin që policia e prokuroria ta trajtojnë me seriozitet.

Ky institucion shëndetësor ka shprehur indinjatë dhe ka dënuar ashpër këtë sjellje ndaj punëtorëve shëndetësor.

“Sulmet e tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendet e tyre të punës janë shqetësuese dhe të pa pranueshme, ndërsa tolerimi i tyre krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen duke nxitur pasiguri në punë në mesin e komunitetit shëndetësor” – thuhet më tej në njoftim.

Pas kësaj situate, infermierët e sulmuar janë liruar për në shtëpi. Kjo QKMF u ka dëshiruar atyre shërim dhe kthim të shpejtë në vendin e punës.

KALLXO.com ka kontaktuar me policinë për të marrë më shumë informacione për këtë rast. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se ende nuk kanë informacion në lidhje me këtë rast.