Kamerë e trupit për policët, Foto: KALLXO.com

Si funksionon përdorimi i kamerave në trupin e policëve? - VIDEO

Në gusht të vitit 2023, Policia e Kosovës pranoi donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kamera të trupit për Policinë e trafikut.

Ditëve të fundit vendosja e këtyre kamerave ka filluar edhe tek policët në komunat në veri të vendit.

Në një Podcast të KALLXO.com, është shpjeguar se pse po vendosen këto kamera si dhe rregullat e përdorimit të tyre.

Munish Avdiu, komandat i Njësisë së trafikut rajonal, Mitrovicë-Veri thotë se qëllimi është që policët të jenë më profesionalë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë si dhe të ketë transparencë.

Ai shton se të gjitha njësitë në terren po i përdorin ato.

Avdiu shpjegon se ka rregulla për vendosjen dhe përdorimin e kamerave si dhe të ruajtjes së incizimeve.

Kurse, Arbian Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), deklaron se përdorimi i kamerave ka bazë ligjore. Ai shton se Agjencia për Informim dhe Privatësi në vitin 2020 dha opinion pozitiv sa i përket vendosjes së kamerave nga policët.

Për përdorimin e këtyre kamerave, Policia përveç AIP-së iu drejtua edhe Avokatit të Propullit, Gjykatës Supreme e Prokurorisë së Shtetit dhe nga të gjithë mori opinion pozitiv.

Arifi deklaroi në Podcast se rëndësi iu dha mos-keqpërdorimit të filmimeve.

Kamera vendoset në trup nga polici sapo të fillon patrullimin dhe kamera ndërprehet vetëm në kohë pauze apo në aktivitet jashtë detyre.

Komandanti Avdiu tregoi se zyrtari policor e ka për detyrë që paraprakisht t’i tregojë qytetarit se po incizohet nga kamera.

Arifi nga AIP thotë se qytetarët mund të thonë se nuk duan të filmohen por baza ligjore ia garanton policisë të drejtën e incizimit dhe ushtrimit të autoritetit zyrtar në trafik.

Ai shtoi se një nga kriteret e transparencës plotësohet kur zyrtari policor e informon qytetarin se po incizohet nga kamera dhe se të dhënat e tij po përdoren nga Policia e Kosovës.

Policët nuk kanë të drejtë t’i marrin pamjet me vete në shtëpi apo të shkarkojnë të dhënat nga kamera. Shkarkimi i pamjeve ndodh vetëm në objektin e Policisë dhe në sistemin e tyre përmes mbushësve.

“Të drejtë për qasje në kamera ka udhëheqësi i njësisë, por me shkarku ne nuk mundemi, me shkarkua ka të drejtë vetëm personi adekuat në zyrën e posqame ku janë të vendosur DVR-të”- deklaroi Munish Avdiu.

Nëse polici, qytetari apo mbikëqyrësi ka ankesë duhet të bëj kërkesë për me mund me u pa incizimet.

Në AIP deri më tani nuk janë pranuar ankesa për keqpërdorim të incizimeve, por Arifi thotë se janë planifikuar inspektime për të parë përgjegjshmërinë e përdorimit të kamerave.

Sipas tij nëse ka qasje në incizime mbesin gjurmë dhe saktë dihet se kush ka pas qasje në to dhe se ndërhyrje në filmime nga polici nuk mund të ndodh.

Secili zyrtar policor ka kod të veçantë për kyçje dhe ç’kyçje në kamerë, me ç’rast askush nuk mund të përdor kodin e tjetrit. Përmes kodit dihet se kush e ka përdor kamerën.

Nëse ka ankesë në Agjenci për keqpërdorim të të dhënave, AIP mundet të bëjë inspektim kurse qytetarët kanë të drejtë se nëse dyshojnë për keqpërdorim apo ka pas abuzim ata mund të kërkojnë qasje në Policinë e Kosovës.

Policia ka kamera të veçanta që përdoren nga policët, kamera të aprovuara me ligj dhe që nuk lejohen kamera të ndonjë lloji tjetër.

Rreshteri Avdiu thotë se kanë vërejtur ndryshime pozitive në sjelljen e zyrtarëve policorë, por edhe të qytetarëve.