Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Shoferit të ish-kryetarit të Leposaviqit i digjet vetura

Një veturë është djegur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Leposaviq.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Ngjarja, sipas tij, ka ndodhur më 17.04.2024 në ora 03:00.

Elshani ka bërë të ditur se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer veprimet hetimore të nevojshme.

Siç mëson KALLXO.com vetura është e shoferit të ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq.

Gjatë këtij viti, në pjesën veriore të vendit kanë ndodhur disa djegie të veturave dhe të pronave, për të cilat ka pasur pretendime se kanë qenë të qëllimshme- për të nxitur frikë.

Mëngjesin e datës 03.04.2024 në Mitrovicë të Veriut është djegur vetura e një polici të Kosovës. KALLXO.com kishte mësuar se targat e veturës ishin të Serbisë dhe se vetura i përkiste një polici të nacionalitet serb, i cili nuk kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij, ndryshe nga kolegët e tij serbë të Kosovës, që masivisht u larguan nga institucionet kosovare.

Më pas, më 23.03.2024, edhe drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Leposaviq, Nenad Radosavljeviq i është djegur veranda dhe vreshti.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka akuzuar se mbrapa kësaj qëndron presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Ndërkaq më 08.03.2024 ishte djegur lokali i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Tomaniq ka akuzuar Listën Serbe – partinë më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – lidhur me këtë djegie.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se provat e grumbulluara nga djegia e lokalit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, flasin për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro.

Vetura i është djegur edhe kryetarit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Guriq, më 28.01.2024. Zëvendësministri Vokrri, për këtë rast ka thënë se ka ardhur pas shpeshtimit të kërcënimeve.