Bërnjak, Foto: KALLXO.com

KQZ publikon rezultatet përfundimtare të votimit në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të votimit për ose kundër largimit të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, që u organizua më 21.04.2024.

Sipas këtyre rezultateve, gjashtë qytetarë në Leposaviq u pajtuan që Lulzim Hetemi të largohet nga pozita e tij, ndërsa 129 të tjerë nuk u pajtuan.

Në komunën e Zubin Potokut ishin vetëm 18 vota. Asnjë nga votuesit nuk ishte për shkarkimin e kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.

Në Zveçan rezultoi se ishte vetëm një votë, e cila ishte kundër propozimit që Ilir Peci të largohet nga funksioni i kryetarit.

Ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 99 qytetarë ishin kundër largimit të Erden Atiq nga posti i kryetarit dhe 12 të tjerë votuan pro largimit të tij.

KQZ tha se në këto rezultate përfundimtare mund të vërehet ndonjë ndryshim lidhur me numrin e përgjithshëm të votave nga ato që KQZ ka prezantuar në konferencën e djeshme, më 21.04.2024.

“Kjo ndodhë për shkak se në këto rezultate përfundimtare janë përfshirë edhe votat nga votimi me kusht dhe votat nga votimi i personave me nevoja të veçanta” – tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi shtoi se në raportimet nga dita e votimit, KQZ zakonisht i referohet vetëm statistikave nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihet Votimi me Kusht dhe Votimi i Personave me Nevoja të Veçanta.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë procesit të votimit në veri e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Sipas këtij udhëzimi, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Në Leposaviq të drejtë vote kishin 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.