Ish-drejtori ligjor në MAPL: Lista Serbe u bind se s'mund t'i arrijë votat për shkarkimin e kryetarëve

Shkëlqim Jakupi, ish-drejtor ligjor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, deklaroi se Udhëzimi Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni ka të meta deri tek shkeljet kushtetuese.

Megjithatë ai thotë se ky Udhëzim Administrativ nuk ka lëvizur tri shtylla të ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, i cili sipas tij është “reflektim autentik” i Pakos së Ahtisaarit.

“Iniciativa e qytetarëve, 20% e nënshkrimit të peticionit dhe 50% plus 1 e qytetarëve për largimin e kryetarit. Këto janë të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Kjo ka qenë ndoshta aryseja kryesore e thirrjes së bojkotit pra që 50 plus 1% e votuesve me votu për shkarkimin e kryetarit”- deklaroi Jakupi në Kallxo Përnime.

Jakupi tha se Lista Serbe mezi e ka arritur 20 përqindëshin e nënshkrimeve për shkuarje në votim.

“Kanë qenë të bindur që e kanë të pamundshme praktikisht me arrit 50 plus 1 përqindëshin në ditën e sotme. Prandaj edhe e kanë parë që ka qenë një përpjekje e dështuar”- deklaroi Jakupi.

Të dielën më 21.04.2024 u mbajt votimi për katër komunat në veri në vendit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Numri i qytetarëve që votuan në këto komuna ishte i ulët. KQZ vlerësoi se procesi ka dështuar, pasi nuk është arritur 50% i domosdoshëm, votimi për largimin e kryetarëve.

Në komunat e veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë.