Bërnjak, Foto: KALLXO.com

Përfundon procesi i votimit në komunat në veri të Kosovës

Ka përfunduar procesi i votimit për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë që u zhvillua në komunat e veriut të Kosovës gjatë ditës së sotme (21.04.2024).

Numri i qytetarëve me të drejtë vote ishte 46 mijë e 556, por numri i atyre që morën pjesë në votimin për apo kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicë e Veriut ishte shumë i vogël.

Deri në orën 15:00 kanë votuar vetëm 203 persona, ndërsa në Zveçan nuk ka pasur asnjë votues.

KALLXO.com ka raportuar se në qendrat e votimit si ajo në fshatin Koshtovë të Leposaviqit nuk ka energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa edhe vetë kontejneri i improvizuar si qendër e votimit, pikon ujë për shkak të reshjeve të shiut.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili i ka hapur rrugë këtij procesi, e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Në Leposaviq të drejtë vote kishin 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.