Ndërtesa në Lagjen e Boshnjakëve, Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Policia në Mitrovicë të Veriut pranon një telefonatë për mjet shpërthyes në Lagjen e Boshnjakëve

Policia në Mitrovicën e Veriut ka pranuar një telefonatë në mëngjesin e sotëm se në ndërtesën e cila është e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve është vendosur një mjet shpërthyes.

Në këtë ndërtesë, në të cilën janë të vendosura institucionet serbe kanë ultimatum deri nesër të dorëzojnë dokumentet për regjistrim të shërbimeve ose në të kundërtën duhet të largohen nga objekti.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani tha për KALLXO.com se menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes pasi kanë pranuar telefonatën.

“Kemi bërë shikimin e vendit së bashku me zyrtarët serbë kemi shkuar dhe kemi kontrolluar ndërtesën në prani të tyre pra dhe nuk kemi gjetur asgjë” – tha Elshani për KALLXO.com.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.

Aty thuhet se inspektoratit nuk i janë dhënë dokumente në bazë të të cilave institucionet e Serbisë e shfrytëzojnë objektin komunal, ndonëse zyrtarët serbë, siç thuhet, kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.

Tri ditë më vonë, ishte Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq i cili mori vendosi që të shtyet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve.

Ky ultimatum vlen deri ditën e nesërme.

E kujt është ndërtesa komunale në Mitrovicë të Veriut?