Gjendja e vendvotimeve, KQZ arsyetohet se është dashur t’i përgjigjet “rrethanave të reja”

Për gjendjen e vendvotimeve në katër komunat me shumicë serbe në veri, në të cilat po votohet për apo kundër largimit të kryetarëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është arsyetuar se në momentet e fundit është dashur që t’i përgjigjet “rrethanave të reja”.

KALLXO.com ka raportuar se në qendrat e votimit si ajo në fshatin Koshtovë të Leposaviqit nuk ka energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa edhe vetë kontejneri i improvizuar si qendër e votimit, pikon ujë për shkak të reshjeve të shiut.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencë për media tha se KQZ është dashur që të gjejë qendra alternative.

“Sa i përket çështjes së rregullimit të vendvotimeve, KQZ në momentet e fundit është dashur që të përgjigjet rrethanave të reja sa i përket hapjes së qendrave të votimit, pra qendrave alternative, përpjekjet kanë qenë maksimale që të sigurohet krijimi i hapësirave të nevojshme dhe të përshtatshme për proces të votimit” – tha Elezi.

Ndërsa sa i përket pozicionimit të kabinave të votimit, brenda vendvotimeve, Elezi tha se është vendosur që të ndryshohen, sipas tij, pas një analize që KQZ e ka bërë.

“Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë e pozicionimit të kabinave të votimit do të pamundësojë fotografimin e votës nga votuesi dhe absolutisht nuk cënon fshehtësinë e votës dhe po ashtu vendosja e kabinave në këtë mënyrë është model që përdoret në shumë vende të tjera, të cilat kemi pasur rastin që të shohim gjatë vëzhgimit të proceseve zgjedhore si KQZ” – tha Elezi para gazetarëve.

Ai ka bërë të ditur se deri në ora 15:00 në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit – Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, ku po mbahen zgjedhjet për largimin apo jo të kryetarëve të komunave, kanë votuar vetëm 203 persona.

Sipas Elezit, në Komunën e Zveçanit nuk ka pasur asnjë votues.

“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ), në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: në Leposaviq kanë votuar 122 votues; në Zubin Potok 17; në Zveçan nuk kemi ndonjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 64 votues” – ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.