Bërnjak, Foto: KALLXO.com

Votimi në veri - sa vota për dhe sa kundër morën kryetarët?

12 është numri i qytetarëve që votuan ‘për’ largimin e Erden Atiq nga pozita e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kështu kanë bërë të ditur rezultatet e fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas këtyre rezultateve, në Mitrovicë të Veriut, 99 qytetarë ishin kundër largimit të Erden Atiq nga posti i kryetarit dhe 12 të tjerë votuan ‘për’ largimin e tij.

Rezultatet e KQZ-së tregojnë se gjashtë qytetarë në Leposaviq u pajtuan që Lulzim Hetemi të largohet nga pozita e tij, ndërsa 129 të tjerë nuk u pajtuan.

Në komunën e Zubin Potokut ishin vetëm 18 vota. Asnjë nga votuesit nuk ishte për shkarkimin e kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.

Në Zveçan rezultoi se ishte vetëm një votë, e cila ishte kundër propozimit që Ilir Peci të largohet nga funksioni i kryetarit.

KQZ tha se në këto rezultate përfundimtare mund të vërehet ndonjë ndryshim lidhur me numrin e përgjithshëm të votave nga ato që KQZ ka prezantuar në konferencën e mbajtur në ditën e votimit, më 21.04.2024.

“Kjo ndodhë për shkak se në këto rezultate përfundimtare janë përfshirë edhe votat nga votimi me kusht dhe votat nga votimi i personave me nevoja të veçanta” – tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi shtoi se në raportimet nga dita e votimit, saktësisht nga data 21.04.2024, KQZ zakonisht i referohet vetëm statistikave nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihet Votimi me Kusht dhe Votimi i Personave me Nevoja të Veçanta.

Më 21.04.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

“Pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar” – thuhet në njoftimin e KQZ-së në konferencën e mbajtur në ora 19:30 më 21.04.2024 pas mbylljes së vendvotimeve.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023. Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.

KQZ publikon rezultatet përfundimtare të votimit në veri