Policia anuloi dy herë tenderin njëburimor për ndërtimin e Stacionit në Zubin Potok

Dy herë brenda një muaji është anuluar tenderi i Policisë së Kosovës për ndërtimin e objektit të stacionit policor në Zubin Potok. 

Policët që punojnë në Zubin Potok po vazhdojnë punën e tyre tash e disa muaj në disa kontenjerë që janë vendosur aty nga tetori i vitit 2023.

Tenderi i cili është anuluar dy herë brenda një periudhe të shkurtë është i negociuar, pra pa publikim të kontratës. 

Në total ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok, policia ka parashikuar vlerën 997, 047.34 euro.

Njëri nga vendimet mban datën 29.02.2024 e tjetri 21.03.2024 Tenderi është anuluar nën arsyetimet se ofertat e kompanive që aplikuan ishin jashtë vlerës së parashikuar të çmimit. 

Policia e Kosovës që nga tetori i vitit të kaluar ka nisur procesin e procedurave për ndërtimin e objektit të ri të policisë atje. 

Fotografia, 05.04.2024, Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Kjo për faktin se në objektin në të cilin ishte vendosur policia paraprakisht, ishte objekt i vjetër, shtëpi private dhe nuk i plotësonte kushtet për të operuar zyrtarët policor. 

Tashmë policët po vazhdojnë detyrat në disa kontenjerë të cilët janë vendosur në magjistrale në Zubin Potok më saktësisht përballë shkollës “Jovan Cvijiq”. 

KALLXO.com ka qenë gjatë ditës së sotme në afërsi tëlokacionit të stacionit të ri. E rrethuar me disa rrethoja jo fortë të fortifikuara, hapësirë jo mjaftë e gjerë për të vendosur edhe veturat e policisë, në një pjesë shihen edhe pajisje kryesisht mburojat që përdoren në kohë trazirash të cilat janë vendosur aty. 

Fotografia, 05.04.2024, Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Kjo pasi që hapësira e vogël nuk mjafton për të vendosur të gjithë ato mburoja brenda. 

Policisë nuk po i përshtatet çmimi i ofertuar nga kompanitë për ndërtimin e stacionit policor

Policia e Kosovës ka konsideruar se ofertat që janë dhënë nga shtatë operatorë, kompani apo grup të operatorëve, kanë ofertuar çmime që tejkalojnë vlerën e parashikuar. 

Në tenderin që u anulua më 29.02.2024, katër operatorët ekonomik ofertuan çmimet e tyre për dy pjesë të tenderit që kanë publikuar policia. 

Kompania “Pro & Co Group SHPK” sipas njoftimit të anulimit të tenderit, kishte ofertuar çmimet 652 mijë e 549 eurove për pjesën e parë dhe 350 mijë e 806 euro për pjesën e dytë, pra oferta është mbi 1 milionë euro. 

“OE është e papërgjegjshme pasi oferta e dorëzuar tejkalon vlerën e parashikuar për pjesën 1 dhe pjesën 2”- thuhet në arsyetimin që i ka kthyer Policia e Kosovës kompanisë “Pro&CO Group SHPK” në letrën standarde të eliminimit. 

Kompania e dytë “U-Unique SHPK” kishte ofertuar vlerën prej 1 milion e 511 mijë e 879 eurove për pjesën e parë dhe 861 mijë e 252 euro për pjesën e dytë. 

Edhe për këtë operator Policia e Kosovës konsideroi se ishte e papërgjegjshme për shkak të tejkalimit të vlerës së parashikuar për ndërtimin e stacionit policor. 

Kompania e tretë “NPN EUROING” SHPK në bazë të ofertës së tyre kanë dhënë çmimet, 967 mijë e 782 euro për pjesën e parë dhe 527 mijë e 54 euro për pjesën e dytë. 

“OE është i papërgjegjshëm pasi oferta e dorëzuar i tejkalon vlerën e parashikuar për pjesën 1 dhe pjesën 2”- ka thënë Policia e Kosovës në letrën standarde për operatorin e eliminuar. 

Nga katër ofertat e tenderit të anuluar në shkurt, ndonëse me çmim jashtë asaj që ishte parashikuar, ofertën më të ulët e kishte dhënë grupi i operatorëve “Beni- Com shpk dhe Olti Trasing Shpk”, 621 mijë e 850 euro për pjesën e parë dhe 346 mijë e 423 për pjesën e dytë.

Te ky grup i kompanive që ka aplikuar, policia në letrën standarde kishte thënë se tenderi ishte i papërgjegjshëm deri sa te arsyetimi kishte thënë se ky grup nuk kishte pranuar kërkesat e Policisë së Kosovës për të rritur sigurimin e ekzekutimit në vlerë prej 20 përqind të vlerës së ofertës. 

“Kjo kërkesë e AK për rritje të sigurimit të ekzekutimit ka ardhur pasi në fazën përfundimtare të objekteve ka ofruar çmime për disa pozicione më të lira se sa ato të tregut”- thuhet në arsyetimin për eliminimin e grupit të operatorëve për këtë tender. 

Në dosjen e ri-tenderit, e cila u anulua më 21.03.2024, kishin dorëzuar ofertat e tyre tri, kompani dhe grupe të kompanive. 

Edhe ky aktivitet është anuluar për shkak të çmimit të tejkaluar të ofertuar nga kompanitë për dy pjesë të ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potok. 

Kompania “Hidro Project” për pjesën e parë kishte ofertuar çmimin prej 823 mijë e 146 eurove ndërsa për pjesën e dytë 474 mijë e 821 eurove. 

Policia e Kosovës pas shqyrtimit të ofertës, i ka dërguar letër për eliminim duke u bazuar në tejkalimin e vlerës së çmimit ndërsa ka shtuar edhe se kompania nuk ka dorëzuar asnjë dëshmi në lidhje me kapacitetin ekonomik financiar dhe kapacitetin teknik profesional e po ashtu edhe sigurimin e tenderit. 

Grupi i kompanive “Adnan Bislimi B.I dhe NNSH World Medium” kanë ofertuar çmimin prej 666 mijë e 590 euro për pjesën e parë të ndërtimit të stacionit dhe 383 mijë e 285 euro për pjesën e dytë. 

“OE është i papërgjegjshëm pasi oferta e dorëzuar tejkalon vlerën e parashikuar për pjesën e parë dhe pjesën e dytë po ashtu edhe për një punëtor të certifikuar për mbrojtje dhe sigurisë në punë nuk ka ofruar dëshmi të certifikimit”- ishte arsyetimi i Policisë së Kosovës për këtë grup të kompanive në letrën e eliminimit nga tenderi. 

Grupi tjetër i operatorëve “Olti Trasing SHPK dhe BENI- com SHPK” kishin ofertuar çmimin e tyre 744 mijë e 192 euro për pjesën e parë dhe 420 mijë e 787 euro për pjesën e dytë. 

Policia ishte e shkurtë në letrën stanarde të eliminimit duke i thënë grupit se oferta ishte e papërgjegjshme pasi ishte tejkaluar vlera e parashikuar. 

Vetëm pak javë pas sulmit terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës njoftoi se kishte nisur procedurat për ndërtimin e objektit të Policisë në Zubin Potok. 

28.10.2023 KALLXO.com pati raportuar se kishin nisur procedurat për ndërtimin e stacionit të ri ndërsa më 30.10.2023 sërish KALLXO.com pati raportuar për pakënaqësitë që kishin shprehur banorët e Zubin Potokut për ndërtimin e objektit përballë shkollës fillore.

Fotografia, 05.04.2024, Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Procedurat për ndërtimin e këtij stacioni kishin filluar qysh në vitin 2018, e vendime e miratime të dokumenteve të ndryshme ishin nënshkruar edhe gjatë qeverisjes së anëtarëve të Listës Serbe në këtë komunë.

Në afërsi të parcelës ku do të ndërtohet ky stacion janë vendosur edhe disa dokumente, e një prej tyre flet edhe për kushtet e ndërtimit.

Ky dokument është i nënshkruar nga ish-kryetari i Zubin Potokut, Srdan Vuloviq nga Lista Serbe.

Kjo parti, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që ka edhe mbështetjen e qeverisë serbe, më 30.10.2023, në ditën kur filloi ndërtimi doli me një reagim.

Ata e quajtën fillimin e këtij ndërtimi presion institucional të Prishtinës ndaj popullit serb dhe synim për krijim të tensioneve e përshkallëzimit të situatës në veri.

Pas kësaj deklarate të LS-së reagoi edhe Policia e Kosovës, duke thënë se janë marr të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok.

PK në mënyrë kronologjike kishte renditur hapat që ka ndërmarrë që nga viti 2018.

Sipas policisë këta janë hapat që janë ndërmarrë:

Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore,

Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020,

Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komform vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë,

Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0

Pas bartjes së pronës në emër të PK-së, është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,

Më datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar më datë 10.12.2021 mes PK-së dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin.

Në anën tjetër, Policia kishte thënë se stacioni policor në të cilin punonin ishte i vendosur në një objekt privat, me qira dhe nuk plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punë të zyrtarëve policorë të rendit.

Në po të njëjtin stacion ka pasur edhe incidente të cilat ishin raportuar. 

25.11.2020 KALLXO.com kishte raportuar për djegien e kulmit të stacionit policor në Zubin Potok. 

Përveç djegies, kushtet ishin të vështira pasi objekti ishte i vjetër në ndërtim.