Vendi ku do të ndërtohet stacioni i ri policor në Zubin Potok. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Banorët kundër ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potokut, procedurat u zhvilluan edhe gjatë qeverisjes së Listës Serbe

Në magjistralen e Zubin Potokut, përballë shkollës fillore “Jovan Cvijiq”, pritet që të zë vend stacioni i ri i Policisë së Kosovës.

Qytetarët po kundërshtojnë ndërtimin e tij, duke thënë se lokacioni është afër shkollës.

Procedurat për ndërtimin e këtij stacioni kishin filluar qysh në vitin 2018, e vendime e miratime të dokumenteve të ndryshme ishin nënshkruar edhe gjatë qeverisjes së anëtarëve të Listës Serbe në këtë komunë.

Në afërsi të parcelës ku do të ndërtohet ky stacion janë vendosur edhe disa dokumente, e një prej tyre flet edhe për kushtet e ndërtimit.

Ky dokument është i nënshkruar nga ish-kryetari i Zubin Potokut, Srdan Vuloviq nga Lista Serbe.

Kjo parti, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që ka edhe mbështetjen e qeverisë serbe, të shtunën, në ditën kur filloi ndërtimi doli me një reagim.

Ata e quajtën fillimin e këtij ndërtimi presion institucional të Prishtinës ndaj popullit serb dhe synim për krijim të tensioneve e përshkallëzimit të situatës në veri.

Pas kësaj deklarate të LS-së reagoi edhe Policia e Kosovës, duke thënë se janë marr të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok.

PK në mënyrë kronologjike ka renditur hapat që ka ndërmarrë që nga viti 2018.

Sipas policisë këta janë hapat që janë ndërmarrë:

  • Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore,
  • Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020,
  • Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë,
  • Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0
  • Pas bartjes së pronës në emër të PK-së, është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,
  • Më datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar më datë 10.12.2021 mes PK-së dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin.

Në anën tjetër, Policia tha se stacioni policor aktual është i vendosur në një objekt privat, me qira dhe nuk plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punë të zyrtarëve policorë të rendit.