Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Njësitë Speciale nisen për në Mitrovicë, Policia thotë se është lëvizje e zakonshme (VIDEO)

Në pamjet e publikuara nga RTV Dukagjini shihen automjetet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës derisa shkojnë në drejtim të Mitrovicës.

Një protestë është paralajmëruar që do të mbahet sot në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka thënë se lëvizja e automjeteve është e zakonshme.

“Referuar disa shkrimeve dhe publikimeve në media të ndryshme, që ndërlidhen me lëvizjet e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, ju informojmë se lëvizjet e njësiteve policore janë të zakonshme dhe nuk ndërlidhen me ndonjë aktivitet të caktuar”, thuhet në përgjigjën e PK-së.

Shteti serb më 3 prill organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Por, njëjtë nuk kanë menduar krerët e shtetit kosovar. Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUNIT-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në lidhje me veprimet e IPK-së për këtë çështje.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tani deputet i PDK-së në Kuvend, Rashit Qalaj, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se pjesëmarrja e eprorëve në një takim ku ishte parë edhe Radojiçiq është veprim i kundërligjshëm.

Ai madje shtoi se ndaj të njëjtëve tashmë është dashur që të merren masa nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti.

“Është e papranueshme shkuarja në Beograd dhe takimi me një president të një shteti të huaj e aq më keq kur në takim prezent ka qenë i kërkuari nga Gjykata e Kosovës”, tha Qalaj deri sa shton se si funksionon shkuarja në evente të ndryshme zyrtare.