Eproret e policise ne takimin me Aleksandar Vuciq, Foto: KALLXO.com

Pas raportimit të KALLXO.com, IPK po trajton rastin e eprorëve policorë që morën pjesë në takim me Vuçiqin

Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në lidhje me veprimet e IPK-së për këtë çështje.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi sot se Policia e Kosovës e edhe Ministria e Punëve të Brendshme po heshtin në lidhje me pjesëmarrjen e eprorëve të policisë në takimin të cilin e kishte thirrur dy ditë më parë presidenti Aleksandër Vuçiq në Serbi pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Në po të njëjtin takim, sipas raportimeve të mediumeve serbe, ka qenë i pranishëm edhe i kërkuari nga organet e rendit dhe sigurisë në Kosovë, Milan Radoji​​çiq.

Radojiçiq java më parë ishte arratisur nga duart e policisë në pikën kufitare në Bërnjak.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar në lidhje me pjesëmarrjen e eprorëve të policisë në veri të Kosovës, në takimin e thirrur nga Vuçiq.

Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, zyrtari nga Stacioni Policor në Leposaviq, Igor Vukadinoviq, Komandanti i Stacionit Policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zvecan Dragisha Milunoviq janë pesë eprorë policorë në zonën e veriut të Mitrovicës të cilët kanë marrë pjesë dy ditë më parë në takimin e thirrur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Që nga dita e djeshme, KALLXO.com ka tentuar të marrë koment nga Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me të njëjtën çështje.

Deri tani, asnjë drejtues i dy institucioneve nuk kanë qenë të qasshëm e as nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje nëse janë duke e trajtuar apo kanë marrë ndonjë veprim për rastin.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi në të cilën shihen në takim me Vuçiqin disa eprorë të policisë të cilët punojnë në zonën e veriut të Kosovës.

Në të njëjtin takim sipas mediave serbe ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Mediumi serb PINK TV dje kishte raportuar se në këtë takim mes serbëve të Kosovës dhe Vuçiqit, ndër të tjerë, kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri.

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar fotografinë e publikuar në të cilën shihet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në takim me përfaqësues të institucioneve në Kosovë me Millan Radojiçiqin njeriun e kërkuar për korrupsion.

“Këtu njerëzit kryesor në këtë fotografi janë Radojiçiq dhe Gashiq, nuk është as Petkoviq. Ky që ndodhet në anën e djathtë të Vuciqit, Petkoviqi që është kryenegociator i Serbisë ky as për së afërmi nuk është i rëndësishëm sa Radojqiqi dhe Gashiqi, besa as zoti Jevtiq”, ka thënë Kurti.