Eproret e policise ne takimin me Aleksandar Vuciq, Foto: KALLXO.com

Ish-drejtori i Policisë: Komandantët që u fotografuan me Radojiçiqin duhet të suspendohen

Pesë eprorë të Policisë në veriun e Kosovës kanë marrë pjesë në një takim të thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Në atë takim ka qenë edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për korrupsion, Millan Radojiçiq. 

KALLLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës deri më tani nuk kanë reaguar në asnjë moment në lidhje me pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në këtë takimin e zhvilluar në Serbi.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tani deputet i PDK-së në Kuvend, Rashit Qalaj, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se pjesëmarrja e eprorëve në një takim ku ishte parë edhe Radojiçiq është veprim i kundërligjshëm. 

Ai madje shtoi se ndaj të njëjtëve tashmë është dashur që të merren masa nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti. 

“Është e papranueshme shkuarja në Beograd dhe takimi me një president të një shteti të huaj e aq më keq kur në takim prezent ka qenë i kërkuari nga Gjykata e Kosovës”, tha Qalaj deri sa shton se si funksionon shkuarja në evente të ndryshme zyrtare.

“Në situata normale edhe brenda vendit tonë eprorët e Policisë nuk lejohen me i taku liderët e institucioneve të Kosovës pa lejen e drejtorit të Policisë ndërsa vizita te një president i huaj nuk duhet të lejohet assesi pa ndërmarrjen e masave të rrepta”, shton tutje Qalaj. 

Sipas tij, veprimet e eprorëve të Policisë janë të kundërligjshme.

“Radojiçiq është paraqitur në publik në një vend tjetër ndërsa prezenca e eprorit të Policisë në vendin e njëjtë me Radojiçiq është veprim i kundërligjshëm i eprorit të Policisë”, tha tutje ai.

Sipas tij, gjendja bëhet edhe më e rëndë pasi që, siç thotë ai, të njëjtit eprorë të Policisë kanë shprehur gatishmëri të largohen nga Policia e Kosovës. 

“Për me bë situatën edhe më të rëndë të gjithë ata që kanë qenë prezentë, duke përfshirë edhe eprorët e Policisë kanë shprehur gatishmërinë të largohen nga institucionet e Kosovës dhe unë mendoj që duhet menjëherë drejtori i Policisë të reagojë në mënyrën më të rreptë të mundshme, t’i suspendojë nga detyra dhe të hetohen të gjithë ata që kanë qenë atje nga IPK pasi që ata kanë paralajmëruar që do të lëshojnë Policinë e Kosovës”, shpjegon Qalaj për KALLXO.com. 

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi se pas raportimit të ditës së djeshme, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar të shqyrtojë rastin e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë në takim me Vuçiqin. 

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit janë parë gjatë ditës së djeshme në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi në të cilën shihen në takim me Vuçiqin disa eprorë të policisë të cilët punojnë në zonën e veriut të Kosovës.

Në të njëjtin takim sipas mediave serbe ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Mediumi serb PINK TV dje kishte raportuar se në këtë takim mes serbëve të Kosovës dhe Vuçiqit, ndër të tjerë, kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar fotografinë e publikuar në të cilën shihet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në takim me përfaqësues të institucioneve në Kosovë me Millan Radojiçiqin njeriun e kërkuar për korrupsion.

“Këtu njerëzit kryesor në këtë fotografi janë Radojiçiq dhe Gashiq, nuk është as Petkoviq. Ky që ndodhet në anën e djathtë të Vuciqit, Petkoviqi që është kryenegociator i Serbisë ky as për së afërmi nuk është i rëndësishëm sa Radojqiqi dhe Gashiqi, besa as zoti Jevtiq”, ka thënë Kurti.