Takimi i kryeministrit Albin Kurti me kryetarët e Komunave dhe drejtorin e ASK-së, 05.04.2024

Nisja e regjistrimit të popullsisë, udhëheqës të komunave që drejtohen nga partitë opozitare adresojnë kritika

Kryetarë dhe përfaqësues të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare në Kosovë kanë adresuar kritika rreth procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, më 05.04.2024, ata janë ankuar për mungesë të informacioneve të duhura nga Qeveria, si dhe kanë kërkuar që të zgjatet afati i regjistrimit.

Lulzim Aliu, nënkryetar i Ferizajt, tha se takimi i sotëm me kryeministrin Kurti dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), është dashur të mbahet shumë më herët.

“Një proces kaq i rëndësishëm me u organizu kaq dobët dhe kaq keq, dhe qysh në ditët e para me pasë kaq shumë telashe është shqetësim. Është dashtë me u debatu për secilën telashe. Këtë mbledhje kemi pasë mundësi me mbajt në Qeveri” – ka thënë Aliu.

Ndërkaq Kujtim Gashi, ish ministër i Kulturës dhe aktualisht nënkryetar i Prizrenit, tha se procesi i regjistrimit sot nuk ka filluar fare në Prizren. Për shkak të problemve teknike, sipas tij, ky proces është shtyrë për të hënën e javës së ardhshme.

“Një pjesë e madhe e regjistruesve pasi janë aktivizuar, janë larguar më pas për shkak të pagesës. Ka pasur ankesa edhe nga komunitetet për shkak të numrit të vogël të regjistruesve. Nëse nuk arrihet me kohë të kryhet procesi, duhet të ketë edhe një afat shtesë” – tha Gashi.

Kurse kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të zgjatet edhe për rreth dy javë.

“Kryeministër, ne e vlerësojmë këtë projekt si shumë të rëndësishëm për përgatitjen e realizimit të regjistrimit të popullsisë. Sa i përket regjistrimit të dëmeve të luftës, unë kam pritë në takim edhe një përfaqësues të ASK-së. Jo pse ne jemi vonuar, por duhet me ditë sesi do t’i deklarojnë, si do të bëhet kjo punë. Duhet të ketë informacione më shumë. Unë kisha thanë me shty edhe dy javë ditë procesin që me zgjatë më shumë procesi, sepse e kemi bukur vështirë me e kry mirë” – ka thënë Lladrovci.

Ndërsa kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se edhe në komunën e tij ka pasur probleme për regjistruesit, por se shumica janë zgjidhur.

“Do të jemi me tërë kapacitetet tona në dispozicion që procesi të ecën mirë. Periudha prej 6 javësh është e mjaftueshme për t’u kryer. Por specifikat asnjëra komunë nuk i ka të ngjashme. Duhet të jemi aktiv gjatë kësaj periudhe”- tha Bulliqi.

Në anën tjetër, drejtori i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, tha se nuk ka nevojë shtesë për procesin e regjistrimit të popullsisë. Ai tha se mund të lihet si opsion zgjatja e afatit.

“Mund të ketë probleme për shkak të numrin të regjistruesve, por çdo komunë që ka sfidë për regjistrues, ne kemi mundësi që brenda ditës të dërgojmë regjistrues shtesë, pasi kemi kapacitete” – tha ai.

Kurse Kurti gjatë takimit me kryetarët e komunave, tha se është thelbësore të bashkojnë forcat për mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.

Kjo pasi për herë të parë pas 25 vjetëve nga përfundimi i luftës në Kosovë, në pyetësorin për regjistrimin e popullsisë, qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet që kanë pësuar në periudhën në kohën e luftës 1998-1999.

“Në këtë regjistrim të popullsisë për herë të parë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët munden t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruar si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur ose të burgosur” – tha Kurti më 05.04.2024

Në takimin e sotëm morën pjesë kryetar/përfaqësues të këtyre komunave: Vushtrri, Prizren, Rahovec, Podujevë, Mitrovice e Veriut, Juniku, Obiliq, Kllokot, Kamenicë, Drenas, Gjakovë, Gjilan, Kaçaniku, Peja, Novobërdë, Klina, Zubin Potok, Mitrovicë e Jugut dhe Shtime.

Regjistrimi i popullësisë parashihet të bëhet në rreth 650 mijë ndërtesa, përmes 3 mijë e 536 regjistruesve në terren- ku përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe 891 mbikëqyrësve.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.

Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024

Regjistrimi i popullësisë dhe dëmeve nga lufta, Lladrovci kërkon që të zgjatet edhe për dy javë procesi