Takimi i kryeministrit Albin Kurti me kryetarët e Komunave dhe drejtorin e ASK-së, 05.04.2024

Regjistrimi i popullësisë dhe dëmeve nga lufta, Lladrovci kërkon që të zgjatet edhe për dy javë procesi

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës gjatë takimit me kryetarët e komunave, tha se është thelbësore të bashkojnë forcat për mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.

Kjo pasi për herë të parë pas 25 vjetëve nga përfundimi i luftës në Kosovë, në pyetësorin për regjistrimin e popullsisë, qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet që kanë pësuar në periudhën në kohën e luftës 1998-1999.

“Në këtë regjistrim të popullsisë për herë të parë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët munden t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruar si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur ose të burgosur” – tha Kurti më 05.04.2024

“Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999. Është thelbësore të bashkojmë forcat sepse qëllimin e kemi të përbashkët – për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe brezave që do të vijnë pas neve” – ka shtuar kryeministri Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, nevojitet një bashkëpunim mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Komunave.

Ai përsëriti thirrjen për përkushtim dhe angazhim të përbashkët në një ndërmarrje tejet të rëndësishme institucionale të vendit.

“Na gëzon fakti që buxheti i komunave sivjet është 742 milionë euro. Pra, 195 milionë euro më shumë se sa në vitin 2021. Krahas kësaj rritje për zhvillim të komunave, rriten edhe mundësitë edhe për rritje të mirëqenies së qytetarëve. Për të planifikuar dhe zbatuar politikat bazuar në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social, është e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuar. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave ka filluar sot. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës dhe nivelin e edukimi do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët, neve si qeveri dhe juve si komuna” – tha kryeministri Kurti.

Lidhur me regjistrimin e dëmeve nga lufta, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që të zgjatet procesi edhe dy javë në mënyrë që të shkojë procedura më mirë.

“Kryeministër na e vlerësojmë këtë projekt si shumë të rëndësishëm për përgatitjen e realizimit të regjistrimit të popullsisë. Sa i përket regjistrimit të dëmeve të luftës, unë kam pritë në takim edhe një përfaqësues të ASK-së. Një shqetësim, jo pse ne jemi vonuar, por si do t’i deklarojnë, si do të bëhet, e kemi të vështirë, duhet të ketë informacione më shumë. Unë kisha thanë me shty edhe dy javë ditë procesin që me zgjatë më shumë procesi sepse e kemi bukur vështirë me e kry mirë” – ka thënë Lladrovci.

Ndërkaq, Avni Kastrati drejtori i ASK-së, tha se procedura e regjistrimit të popullsisë do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

“Do të zgjasë deri me 17 maj. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me Komunat, por kërkohet të vazhdohet ky bashkëpunim në aspektin logjistik të mbështesni stafin. Qëllimi është që asnjë banor të mos mbetet pa u regjistruar. Regjistrimi do të jetë 6 ditë në javë, nga e martja në të dielën. Kërkohet nga ju si komunë që sidomos në vikende të mbështesni stafin e regjistrimit” – ka thënë Kastrati më 05.04.2024

Ky është takimi i shtatë i përbashkët mes komunave dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në takimin e sotëm morën pjesë kryetar/përfaqësues të këtyre komunave: Vushtrri, Prizren, Rahovec, Podujevë, Mitrovice e Veriut, Juniku, Obiliq, Kllokot, Kamenicë, Drenas, Gjakovë, Gjilan, Kaçaniku, Peja, Novobërdë, Klina, Zubin Potok, Mitrovicë e Jugut.

Regjistrimi i popullësisë parashihet të bëhet në rreth 650 mijë ndërtesa, përmes 3 mijë e 536 regjistruesve në terren- ku përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe 891 mbikëqyrësve.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.

Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024.