Takimi i kryeministrit Albin Kurit me kryetarët e komunave. 21.02.2024. Foto: KALLXO.com

Tentimi i katërt, Kurti paralajmëron se regjistrimi i popullsisë do të fillojë në prill

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar me kryetarët e komunave për të diskutuar për çështjet komunale për vitin 2024.

Në fokus të këtij takimi ishte edhe regjistrimi i popullsisë, proces i cili sipas Kurtit, do të nisë këtë vit.

Kurti paralajmëroi se ky proces do të fillojë më 5 prill dhe do zgjasë deri më 17 maj 2024.

Sipas tij, politikëbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal, andaj në frymën e kësaj, ai ka kërkuar bashkëpunim gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave në përgjithësi.

“Do të planifikojmë më shumë. Do të planifikojmë më më mirë. Do të zbatojmë më drejtë dhe do të kemi më shumë sukses bashkë”- tha Kurti në këtë takim të mbajtur më 21.02.2024.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullësisë. 

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore, nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.  

Vendimi i radhës, më 23.08.2023 parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 1 nëntor deri më 15 dhjetor 2023.

Kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator.

Ai kishte thënë se procesi ishte shtyrë shkaku i rezistencës nga Komisioni Qendror i Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shtye të mbahet nga data 5 prill 2024 deri më datën 17 maj 2024. 

Hera e fundit kur është bërë regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka qenë në vitin 2011.

Sipas regjistrimit të bërë atë vit, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte 1.8 milion.

Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.