Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Gjatë regjistrimit të popullsisë për herë të parë qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë që do të fillojë me 05.04.2024. Krahas kësaj, ai tregoi se gjatë këtij procesi do të regjistrohen edhe dëmet nga lufta e viteve 1998-99 në ekonomitë familjare.

“U bëj thirrje qytetarëve që të përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë. Nuk kemi mangësi vetëm tek shpërputhja e të dhënave por edhe tek mungesa e tyre. Për herë të parë në këtë regjistrim është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-99 në ekonomitë familjare”- tha ai.

Kreu i Qeverisë bëri të ditur se ky regjistrim i popullsisë do të jep një pasqyrë të së tashmes, por do të sigurojë edhe evidencë të së kaluarës.

“Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998- pra Qirezi e Likoshani, deri më 12 qershor 1999- pra fillimi i tërheqjes së trupave të Serbisë nga Kosova. Ky regjistrim që fillon të premten (5 prill), përveç se do na e jep një pasqyrë të së tashmes, do të na sigurojë evidencë të së kaluarës, që të mos kemi të dhëna të ndryshme për faktet e njëjta dhe gjithashtu të mos kemi mungesë të të dhënave për ato që i dijm, sepse i kemi jetuar e përjetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë më së shumti edhe sot e kësaj dite”- tha kryeministri Kurti.

Kryeministri gjithashtu foli edhe për homazhet në Gjakovë, ku në mes të 2 dhe 4 prill 1999, forcat serbe torturuan mijëra burra e gra në fshatin Kralan.

“Ditën e nisëm me homazhe në Gjakovë. Ishim edhe në Kralan ku në mes 2 e 4 prillit 1999 forcat ushtarake të Serbisë torturuan mijëra burra e gra. I liruan pas dy ditësh rrahjeje e keqtrajtimesh. Më 4 prill i ndaluan 86 nga ta, në mes tyre edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë askush nga ta më nuk u pa i gjallë. 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi në Bajina Basta të Serbisë”- ka deklaruar Kurti.

“Është evidente që policët e ushtarët e Serbisë kanë pas urrejtje aq të madhe dhe plan aq të detajuar saqë preokupimin me të madh e kanë pas sesi t’i zhdukin trupat. Gjatë ditëve të kaluar kemi përkujtuar masakrën e Krushës, Belegut në Deçan, në Podujevë, familjes Berisha në Suharekë. Dje ishim në Lybeniq të Pejës”- shtoi ai.

I pari i Qeverisë njoftoi se në Institutin për Krime të Luftës tashmë janë hapur 25 pozita pune, andaj u bëri thirrje ekspertëve të fushës që të aplikojnë.

“Për të dokumentuar më saktësi të gjitha krimet, meqenëse shpeshherë kemi s’përputhje të të dhënave, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Luftës, për të cilin janë hapur 25 pozita. Aty ka shumë punë e do bëjmë shumë punë, andaj uu bëj thirrje ekspertëve të fushës të aplikojnë në pozitat e hapura dhe të bëhen pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për Republikën, historinë dhe të ardhmen tonë”- ka theksuar Kurti.

Regjistrimi i popullësisë parashihet të bëhet në rreth 650 mijë ndërtesa, përmes 3 mijë e 536 regjistruesve në terren- ku përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe 891 mbikëqyrësve.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.

Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.

Kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 01.09.2023.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024.