Mungesa fizike në Tiranë, Kurti thotë se përgatitjet për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë vjet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte fizikisht në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, që u mbajt më 29.02.2024 në Tiranë.
Ai tha se e kishte të pamundur të ishte aty pasi përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar.
“Për këtë arsye e kisha të pamundur të merrja pjesë në takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6), në Tiranë” – tha Kurti.
Tutje ai shtoi se megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë ishte pjesëmarrës virtualisht përmes një video-mesazhi, ku theksoi mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së, përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Europian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së, përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe planin e ri të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR).
Kurti udhëtoi për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar më 23.02.2024, me ministrin e Financave, Hekuran Muratin. Ata morën pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Më 24.02.2024, i pari i Qeverisë mori pjesë në pritjen e organizuar në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e Kosovës në Londër.
Në një ceremoni solemne, ai tha se Londra është një vend i shkëlqyeshëm për të festuar pavarësinë e Kosovës, duke qenë kryeqyteti i një vendi mik e partner dhe mbështetës i palëkundur i pavarësisë sonë.
“Në mesin e thirrjeve të fuqishme për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, Mbretëria e Bashkuar ishte njëri ndër zërat më të lartë dhe më të fortë. Në vitin 1999, mbështetja për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ishte më larta në përqindje në mesin e britanikëve se në çdo vend tjetër të NATO-s”- ka deklaruar kryeministri.
Dy ditë më pas, më 26.02.2024, Kurti mori pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024.
Aty u diskutua për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor.
Në margjinat e kërij samiti, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkroi një memorandum mirëkuptimi (MM) me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.
Vlera e këtyre iniciativave të mundshme, në përputhje me strategjinë e BERZH-it për Kosovën 2022-2027, vlerësohet të arrijë në 400 milionë euro, ka njoftuar BERZH më 26.02.2024.
Ndërkaq, më 28.02.2024 sipas një komunikate nga ZKM-ja, Kurti gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”.
“Labour Friends of Kosova” është një grup i parlamentarëve laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në të njëjtën ditë, Kurti ka zhvilluar një takim me ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e parë, Emma Little-Pengelly.
“Biseda u përqendrua në çështje dhe tema që kanë të bëjnë me integrimin, pajtimin dhe ndërtimin e paqes. U theksua vullneti dhe gatishmëria për bashkëpunim dhe ndarje të përvojave në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë arsimin dhe teknologjinë”- u tha në një komunikatë të ZKM-së.
Agjenda e kreut të ekzekutivit vijoi me një takim me kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots.
Në bisedën e zhvilluar mes tyre, folën mbi historinë dhe përvojat respektive, veçanërisht në ballafaqimin me të kaluarën e dhimbshme të luftës.
“U theksua roli i rëndësisë që kanë muzetë për të përkujtuar çdo jetë të humbur. Me atë rast, kryeministri Kurti përmendi nismën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për themelimin e Muzeut të Luftës, që në qendër do të ketë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më tej, përmendi po ashtu edhe themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”- u bë e ditur në kumtesë.
Takimi radhës më 28.02.2024, i kryeministrit Kurti ishte me liderin e opozitës në Irlandën Veriore, socialdemokratin Mattheë O’Toole.
Diskutimi i tyre kishte të bëjë mbi vlerat dhe parimet e përbashkëta demokratike që i ndajnë si liderë nga parti simotra socialdemokrate.
“Më tej, u trajtua edhe rëndësia e mësimit nga e kaluara, në kontekstin e historisë dhe përjetimeve të vendeve tona. U përmend dhe rreziku që paraqet keqpërdorimi i medieve sociale në nxitjen e konflikteve, mosdurimin dhe mospajtime etnike”- thuhet në komunikatë.
Ai vazhdoi vizitën e tij në shkollën fillore Nettlefield në Belfast të Irlandës Veriore, nga ku kishte parë nga afër zbatimin e sistemit të Arsimit të Përbashkët.
Kurti përmbylli këtë ditë me një vizitë në universitetin “Queens University” në Belfast, ku ligjëroi dhe mori pjesë në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.
Kurti mungon fizikisht në Samitin në Tiranë, vijon agjendën në Mbretërinë e Bashkuar