Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Mbretërinë e Bashkuar

Kurti mungon fizikisht në Samitin në Tiranë, vijon agjendën në Mbretërinë e Bashkuar

Ndonëse në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, që po mbahet më 29.02.2024 në Tiranë, nuk shkoi fizikisht por vendosi të paraqitet vetëm virtualisht, kryeministri Albin Kurti po e vazhdon vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka theksuar se për shkak të angazhimeve të mëparshme, kreu i ekzekutivit kosovar në samit do të jetë vetëm virtualisht, përmes një video-adresimi.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”- tha Kryeziu për KALLXO.com.

Kryeziu konfirmoi se Kurti po e vazhdon vizitën në Mbretërinë e Bashkuar, të nisur më 23.02.2024. Zëdhënësi i ZKM-së tha se për agjendën dhe takimet që kryeministri do të zhvillojë atje, do të ketë njoftime gjatë ditës.

Kurti udhëtoi për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar më 23.02.2024, me ministrin e Financave, Hekuran Muratin. Ata morën pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Më 24.02.2024, i pari i Qeverisë mori pjesë në pritjen e organizuar në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e Kosovës në Londër.

Në një ceremoni solemne, ai tha se Londra është një vend i shkëlqyeshëm për të festuar pavarësinë e Kosovës, duke qenë  kryeqyteti i një vendi mik e partner dhe mbështetës i palëkundur i pavarësisë sonë.

“Në mesin e thirrjeve të fuqishme për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, Mbretëria e Bashkuar ishte njëri ndër zërat më të lartë dhe më të fortë. Në vitin 1999, mbështetja për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ishte më larta në përqindje në mesin e britanikëve se në çdo vend tjetër të NATO-s”- ka dekalruar kryeministri.

Dy ditë më pas, më 26.02.2024, Kurti mori pjesë në  Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024.

Aty u diskutua për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor.

Në margjinat e kërij samiti, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkroi një memorandum mirëkuptimi (MM) me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.

Vlera e këtyre iniciativave të mundshme, në përputhje me strategjinë e BERZH-it për Kosovën 2022-2027, vlerësohet të arrijë në 400 milionë euro, ka njoftuar BERZH më 26.02.2024.

Ndërkaq, më 28.02.2024 sipas një komunikate nga ZKM-ja, Kurti gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”.

“Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në të njëjtën ditë, Kurti ka zhvilluar një takim me Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly.

“Biseda u përqendrua në çështje dhe tema që kanë të bëjnë me integrimin, pajtimin dhe ndërtimin e paqes. U theksua vullneti dhe gatishmëria për bashkëpunim dhe ndarje të përvojave në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë arsimin dhe teknologjinë”- u tha në një komunikatë të ZKM-së.

Agjenda e kreut të ekzekutivit vijoi me një takim me kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots.

Në bisedën e zhvilluar mes tyre, folën mbi historinë dhe përvojat respektive, veçanërisht në ballafaqimin me të kaluarën e dhimbshme të luftës.

“U theksua roli i rëndësisë që kanë muzetë për të përkujtuar çdo jetë të humbur. Me atë rast, kryeministri Kurti përmendi nismën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për themelimin e Muzeut të Luftës, që në qendër do të ketë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më tej, përmendi po ashtu edhe themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”- u bë e ditur në kumtesë.

Takimi radhës më 28.02.2024, i kryeministrit Kurti ishte me liderin e opozitës në Irlandën Veriore, socialdemokratin Matthew O’Toole.

Diskutimi i tyre kishte të bëjë mbi vlerat dhe parimet e përbashkëta demokratike që i ndajnë si liderë nga parti simotra socialdemokrate.

“Më tej, u trajtua edhe rëndësia e mësimit nga e kaluara, në kontekstin e historisë dhe përjetimeve të vendeve tona. U përmend dhe rreziku që paraqet keqpërdorimi i medieve sociale në nxitjen e konflikteve, mosdurimin dhe mospajtime etnike”- thuhet në komunikatë.

Ai vazhdoi vizitën e tij në shkollën fillore Nettlefield në Belfast të Irlandës Veriore, nga ku kishte parë nga afër zbatimin e sistemit të Arsimit të Përbashkët.

Kurti përmbylli këtë ditë me një vizitë në universitetin “Queens University” në Belfast, ku ligjëroi dhe mori pjesë në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.