Kosova nënshkruan memorandum bashkëpunimi me BERZH. Foto:BERZH

Kosova nënshkruan marrëveshje me BERZH-in për projekte rreth 400 milionë euro

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkroi një memorandum mirëkuptimi (MM) me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.

Vlera e këtyre iniciativave të mundshme, në përputhje me strategjinë e BERZH-it për Kosovën 2022-2027, vlerësohet të arrijë në 400 milionë euro, ka njoftuar BERZH më 26.02.2024.

Presidentja i BERZH-it, Odile Renaud-Basso dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nënshkruan këtë memorandum mirëkuptimi, në margjinat e Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor 2024.

Si pjesë e marrëveshjes, BERZH dhe Qeveria e Kosovës kanë identifikuar disa projekte prioritare në fushat me rëndësi kyçe, duke përfshirë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, projektet e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, energjinë e rinovueshme dhe telekomunikacionin.

Ndërkohë, bashkëpunimi i mundshëm për të mbështetur një sektor privat më konkurrues dhe gjithëpërfshirës do të synojë zhvillimin e produkteve financiare të përshtatura dhe reformën e politikave.

BERZH ka njoftuar që ndihma teknike mund të ofrohet gjithashtu për të përmirësuar klimën e investimeve dhe qeverisjen ekonomike në vend.

Renaud-Basso tha se Kosova përballet me nevoja të rëndësishme që përfshijnë sektorin publik dhe privat dhe për këtë “ne synojmë t’i mbështesim ata në çdo hap të rrugës”. 

“Ne kemi objektiva ambicioze në shumë fusha që mund të përmbushen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon synimin tonë për të përmbushur objektivat tona kryesore strategjike në Kosovë”- shtoi ajo.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kuri tha që Qeveria është e përkushtuar për të mbyllur boshllëqet infrastrukturore në Kosovë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. 

“Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritje të përshpejtuar ekonomike dhe një përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët tanë”- tha Kurti.

Bazuar në të dhënat e BERZH, në vitin 2023 investuan 81 milionë euro përmes 16 projekteve, me pothuajse gjysmën e financimit të drejtuar për projektet e gjelbra. Deri më sot, BERZH ka investuar pothuajse 680 milionë euro në Kosovë përmes mbi 100 projekteve.

Në vitin 2023, 20 milionë eurou ndanë për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj për parandalimin e ndotjes dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë.

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor ka mbledhur kryeministrat e gjashtë shteteve: Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

BERZH që është nikoqire e këtij Samiti për herë të gjashtë, ka njoftuar që të gjithë kryeministrat e shteteve përkatëse e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkaq në Londër fizikisht nuk kanë arritur të jenë të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji.

Pika kryesore tradicionale e Samitit  është “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kryesore rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit.

Mes të tjerash, BERZH ka njoftuar që deri më tani kanë investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perendimor.

Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi të gjithë kryeministrat e rajonit.

Më 13.12.2023 ishte mbajtur Samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Europian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kosova në këtë Samit ishte përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ndërsa, Samiti i mbajtur më 06.12.2022 ishte mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë.