Kurti i kundërvihet Brnabiqit: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo ‘Kosova e Metohija’
Në Londër të Mbretërisë së Bashkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi pas parafolëses së tij, kryeministres serbe, Ana Brnabiq, që Kosova është Republikë dhe jo Kosova e Metohija.
Kurti në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor tha se po t’i referohej Kosovës me “Metohija”, duhej t’i referohej edhe Serbisë më ndryshe.
“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo si po i referohet këtu ‘Kosova e Metohija’. Po të ndiqja këtë rrugë, do të merrja shumë kohë për të folur, pasi pos Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, e Sanxhaku, e Toplica, e Rashka dhe Lugina e Preshevës” – tha Kurti.
Këto fjali Kurti i vazhdoi pasi që nisi fjalën e tij që Kosova si shtet i pavarur është njohur nga 117 shtete nga e gjithë bota, 22 nga 27 janë në Bashkimin Evropian; 26 nga 30 janë në NATO dhe tre nga katër shtete janë nga fqinjët tanë.
“…kur them Serbia Qendrore, e kam fjalën Serbia, por një pjesë që nuk është e përfshirë në statistika është provinca jonë autonome Kosova e Metohija që ne e konsiderojmë që është pjesë e jona” – tha Brnabiq, deklaratë të cilës iu kundërvye Kurti.
Zyrtarët e Serbisë, termin “Metohija”, e përdorin si ndajshtesë kur përmendin Kosovën, duke iu adresuar si “Kosova dhe Metohija”.
Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran më 17.02.2008.
Ndërkaq, Kurti shtoi se e përkrah Ukrainën dhe pret që “sa më parë ajo ta fitojë luftën”.
“I kemi vënë sanksione, e duam që Ukraina të fitojë këtë luftë. Ukraina të dalë fituese dhe na duhet bota e Evropa demokratike dhe bota që të shohim të mposhtur Kremlinin dhe Putinin despotik” – ka theksuar ai.
Kurti në këtë takim po merr pjesë së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor ka mbledhur kryeministrat e gjashtë shteteve; Shqipërisë Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që është nikoqire e këtij Samiti për herë të gjashtë, ka njoftuar që të gjithë kryeministrat e shteteve përkatëse e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkaq në Londër fizikisht nuk kanë arritur të jenë të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji.
Pika kryesore tradicionale e Samitit është “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kryesore rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit.
Mes të tjerash, BERZH ka njoftuar që deri më tani kanë investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perendimor.
Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi të gjithë kryeministrat e rajonit.
Më 13.12.2023 ishte mbajtur Samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Europian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kosova në këtë Samit ishte përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ndërsa, Samiti i mbajtur më 06.12.2022 ishte mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë.