Foto: ZKM

Kryeministri Kurti dhe ministri Murati udhëtuan për në Londër, do të marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar më 23.02.2023 për në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, ku do të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2024.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, në Samit Kurtin do e shoqërojë ministri Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” – ka njoftuar ZKM.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të organizojë Samitin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024 në Londër.

Sipas një komunikate nga BERZH, Samiti do të mbahet të hënën më 26.02.2024.

“Ngjarja do t’i bëjë bashkë 6 kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe investitorët ndërkombëtarë me qëllim për të nxjerrë në pah investimet potenciale dhe mundësit biznesore në regjion, dhe të promovohen projektet rajonale ndërkufitare” – thuhet në komunikatën e BERZH-it.

Tutje, BERZH ka bërë të ditur se në këtë ngjarje do të ketë një sesion interaktiv të kryeministrave, të cilin e konsideron si pikë kryesore.

“Meqenëse promovimi i tranzicionit të gjelbër është prioriteti kyç i Bankës në regjion, do të ketë një panel të veçantë sa i përket energjisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i bëjë bashkë investitorët dhe politikëbërësit kryesorë në nivel ministror për një diskutim në lidhje me maksimizimin e mobilizimit të kapitalit privat për të përshpejtuar dekarbonizimin e regjionit” – ka njoftuar BERZH.

Për Bankën Europiane ky është samiti i gjashtë i këtij lloji, pasi sipas njoftimit, Samiti i Ballkanit Perëndimor inaugurues ishte mbajtur nga kjo Bankë 10 vjet më parë, në shkurt të vitit 2014, ku i kishte mbledhur të gjithë udhëheqësit e qeverive të rajonit për herë të parë.

Në anën tjetër, më 13.12.2023 ishte mbajtur Samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Europian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kosova në këtë Samit ishte përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ndërsa, Samiti i mbajtur më 06.12.2022 ishte mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë.