Dronët bayraktar. Foto: Albin Kurti/Facebook

Ministria e Mbrojtjes për përdorimin e dronëve: Ekziston korniza brenda FSK-së që e rregullon këtë aspekt

Për përdorimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilat i janë shtuar arsenalit të ushtrisë së vendit, e që ishin prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 16 korrik është deklaruar Ministria e Mbrojtjes.

Në disa përgjigje për KALLXO.com Liridona Gashi, këshilltare politike në këtë ministri ka thënë se brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës ekziston një kornizë për sa i përket përdorimit të dronëve.

“Sa i përket përdorimit të dronëve ekziston korniza brenda FSK-së që e rregullon këtë aspekt, e po ashtu nuk ekziston ndonjë nen përjashtues brenda Rregullores për Sistemet e Mjeteve Ajrore Pa Pilot” – ka thënë Gashi.

Tutje ajo ka thënë se të gjitha investimet në arsenalin ushtarak të FSK-së po bëhen në koordinim me partnerët strategjik, sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, standardeve të NATO-s, dhe në përputhje me nevojat e Republikës së Kosovës për garantim të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen territoriale.

“Ministria e Mbrojtjes është në komunikim të vazhdueshëm me Autoritetin e Aviacionit Civil si dhe Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror. Ndërsa investimet që kanë impakt direkt ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të vazhdojnë” – ka shtuar ajo.

Gashi ka thënë se synimi është anëtarësimi në NATO.

“Andaj ashtu si çdo shtet tjetër që përqafon politikat e kësaj aleance informimi dhe bashkëpunimi është i ndërsjellët” – shtoi këshilltarja politike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Për këta dronë është deklaruar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në një komunikat për media ky mision ka theksuar edhe një herë që janë KFOR ata që e kanë autoritetin mbi hapësirën ajrore në Kosovë.

“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë” – është thënë në reagim.

Po ashtu KFOR ka kërkuar nga institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese.

Në prezantimin e dronëve Bayraktar TB-2, Kurti kishte thënë se në dy vjet qeverisje kanë shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë.

Kurti ishte shprehur se Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare.