MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.
Publikohet lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret e konkursit për drejtor të Bibliotekës Kombëtare
Dhjetë kandidatë janë në garë në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në mesin e tyre është edhe ish-drejtori Fazli Gajraku.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret për konkursin për zgjedhjen e drejtorit të BKK-së.
Sipas MKRS, 13 persona kanë aplikuar në konkursin e shpallur.
Pas verifikimit të dosjeve të konkurrentëve nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në MKRS, 10 prej tyre kanë plotësuar kriteret për konkursin për drejtor të BKK-së ndërsa 3 nuk i kanë plotësuar kriteret.
“Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në MKRS, ka bërë verifikimin paraprak të aplikacioneve dhe konstaton se, për pozitën në fjalë kanë aplikuar, trembëdhjetë (13) kandidatë dhe prej tyre dhjetë (10} kandidatë, i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme”- thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Kandidatët që i kanë plotësuar kriteret janë: Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama, ndërsa tre të tjerë: Akif Shkreta, Flamur Maloku, Ismail Gagica, sipas MKRS-së nuk i plotësojnë kriteret për të vazhduar tutje.
Ditëve në vazhdim, MKRS thotë se pritet të nisin procedurat për intervistimin e kandidatëve, me shkrim dhe me gojë.