Ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku dhe Baki Jashari. Foto: MKRS.
Baki Jashari e përfundon rrugëtimin 18-vjeçar në krye të Filharmonisë së Kosovës
Kompozitori e dirigjenti, Baki Jashari, do të mbyll këtë të premte, më 19.04.2024, mandatin e tij si drejtor i Filharmonisë së Kosovës.
Jashari qëndroi në krye të këtij institucioni për 18 vjet me radhë. Deri në zgjedhjen e drejtonit të ri, Dardan Selimaj është emëruar zëvendësues i drejtorit.
Kompozitori Jashari është shprehur për KALLXO.com se po e lë Filharmoninë në një gjendje dukshëm më të mirë se kur u emërua drejtor për herë të parë. Sipas tij, gjendja në Filharmoni ka ndryshuar për mirë vit pas viti, me kompletimin e instrumentistëve dhe korit, dyfishim të buxhetit dhe me prezantime më dinamike në skenat evropiane.
Por, sipas tij, gjendja në infrastrukturë, mungesa e një objekti për Filharmoninë, mbetet e njëjtë sikurse në 2006-ën.
“Ky është edhe pikëllimi im më i madh në fund të mandatit tim në krye të Filharmonisë. Kushtet e punës, por edhe vendet ku Filharmonia i zhvillon aktivitetet nuk kanë ndryshuar fare për 18 vjet”- ka thënë ai.
Jashari është pritur të martën, më 16. 40.2024, nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Hajrulla Çeku.
“Profesori dhe dirigjenti Baki Jashari po e përfundon mandatin e tij si drejtor i Filharmonisë së Kosovës. Në takimin e sotëm e falënderova për kontributin jetësor në skenën e muzikës klasike dhe atë 18- vjeçar në forcimin e institucionit të Filharmonisë. Deri në shpalljen e konkursit të rregullt, si ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës është emëruar Dardan Selimaj, zyrtar i brendshëm i këtij institucioni.”- ka shkruar në Facebook, ministri Çeku pas takimit me Jasharin.
Në vitin 2006, Jashari ishte emëruar për herë të parë drejtor i Filharmonisë.
Baki Jashari ka lindur në Prishtinë më 1960, ku edhe e kreu shkollën e mesme të muzikës. Ndërsa studimet për muzikë i ka kryer në Lubjanë të Sllovenisë, më 1984. Pas diplomimit punoi në Radiotelevizionin e Prishtinës, kurse gjatë viteve 1990-2000, ka jetuar dhe punuar në Lubjanë të Sllovenisë si pedagog në shkollën e muzikës.