Biblioteka Kombëtare e Kosovës, "Pjetër Bogdani". Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kritika rreth kritereve në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri të Bibliotekës Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani” pritet të bëhet me drejtor të ri. Konkursi për këtë pozitë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është shpallur më 8 shkurt dhe do të jetë i hapur deri më 9 mars 2024.

Por, jo të gjithë të interesuarve për këtë pozitë do t’u jepet mundësia për konkurrim.

Sipas kritereve të konkursit, e drejta për konkurrim për pozitën e drejtorit të ardhshëm të BKK-së, “Pjetër Bogani”, është e rezervuar vetëm për kandidatët që kanë një diplomë universitare të fituar në Fakultetin e Arteve, Fakultetit Filologjik dhe Fakultetit Filozofik.

Ky kriter kryesor i konkursit për drejtor të kësaj bibliote, nga ekspertë të fushës po konsiderohet si diskriminim dhe shkelje e parimit të trajtimit të barabartë.

Sipas tyre, ky kriter përjashton nga konkurrimi edhe ekspertë të fushës si bibliotekarisë që kanë diplomë dhe gradë master, e që kanë dekada pune në fushën e bibliotekarisë.

Madje, sipas tyre, as Ligjit për Bibliotekat nuk është i specifikuar profili universitar për kandidatët që kanë të drejtë konkurrimi për postin e drejtorit të BKK-së.

Avokati i Populli nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me shqetësimet e ngritura, ndërsa MKRS nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com rreth kriterit të përfolur të Konkursit.

Kriteri diskriminues

Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan ka thënë për KALLXO.com se kriteri i parë i konkursit se vetëm ata që kanë një diplomë universitare të Fakultetit të Arteve, Filologjik dhe Filozofik mund të konkurrojnë është diskriminues.

“Është DISKRIMINUES. Kjo për faktin se konkursi për këtë pozitë përjashton pikërisht profesionistët, ata që kanë Fakultetin e bibliotekarisë. Pra, a s’ do të dukej qesharak konkursi për drejtor të Institutit të historisë të mos listohet historiani. Apo në Institut Albanologjik të mos renditet filologu, gjuhëtari/ja, apo arkeologu në Institutin Arkeologjik të Kosovës?”- ka thënë Azizi.

Për më keq, sipas tij, ky kriter përjashton ekspertët dhe të diplomuarit për bibliotekari.

“Fatmirësisht, jo shumë, por ne kemi bibliotekare/ë profesionistë, janë profesionistë më të mirë që janë shkolluar jashtë e s’ është faji i tyre që profesionet tjera në forme cinike u kanë vjedhë menaxhimin e punëve”- ka pohuar Azizi.

Ramush Zeka, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të BKK-së ka thënë se sipas Ligjit për bibliotekat drejtori duhet të ketë diplomë universitare, por nuk kërkohen profile të veçanta.

“Në Ligjin për biblioteka thuhet se duhet të kesh ‘diplomë universitare’, pra nuk kufizohet në drejtime të veçanta”- ka thënë Zeka. Kriteri ua pamundëson konkurrimin edhe ekspertëve të shkencave të informacionit dhe bibliotekarisë apo arkivistikës, kur, sipas tij,  dihet se disa nga punëtorët e BKK-së kanë thirrje master nga këto fusha.

Në fakt kjo kishte qenë arsyeja pse Banka Qendrore e Kosovës në fund të vitit të kaluar e kishte anuluar konkursin për zv.guvernator sepse konkursi i parë që e kishin hapur kishte specifikuar se në cilat fusha duhet të jetë i diplomuar një kandidat për këtë post për t’u pranuar dhe kjo ishte vlerësuar jashtëligjore. Konkursi për zv.guvernator ishte rihapur në tetor 2023 duke e ndërruar këtë kriter dhe duke kërkuar vetëm diplomimin, pa e cekur se në cilën fushë, sepse ishte vlerësuar që është jashtëligjore të specifikohet saktë se në cilat fusha duhet të jetë i diplomuar personi që aplikon. Specifikimi i diplomës specifike për aplikim për drejtor në institucione publike ka ngritur dyshime se konkurset janë të kurdisura e të përshtatura për kandidatë të caktuar që kanë diplomuar në ato fusha e jo për të tjerë që janë po aq të kualifikuar sipas ligjit.

MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com se në cilin, ligj, nen apo rregullore, është bazuar rreth kriterit të “diplomës universitare” specifike për kandidatët që konkurrojnë në konkurs, deri në publikimin e artikullit.

Ndërkaq, Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në  Institucioni i Avokatit të Popullit, ka thënë për KALLXO.com se ky institucion nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me konkursin e MKRS-së për drejtor të BKK-së, “Pjetër Bogdani”. Në mungesë të ankesës, fakteve relevante, dosjes së rastit dhe të dhënave të tjera IAP ka thënë se e ka të pamundur të deklarohet nëse ka diskriminim në këtë rast.

“Megjithatë, kemi vërejtur se në Ligjin për bibliotekat, përcaktohet në mënyrë të qartë se “drejtori i bibliotekës Kombëtare, drejtori i bibliotekës Universitare dhe drejtori i bibliotekës Komunale duhet te ketë se paku diplomë Universitare”, duke mos përcaktuar profile të veçanta të studimeve të kryera”-ka thënë zëdhënësi Çollaku.

Ndryshimi i kritereve nga ai i 2020-tës

Konkursi për drejtor të BKK-së, “Pjetër Bogdani”, është hapur më 8 shkurt dhe do të jetë i hapur deri më 9 mars 2024, pasi drejtorit aktual Fazli Gajraku, i skadon mandati i dytë në krye të kësaj biblioteke.

Të drejtë konkurrimi në këtë konkurs, sipas kriterit nr: 1,  kanë të diplomuarit në Fakultetin e Arteve, Fakultetin Filologjik dhe Fakultetin Filozofik, që kanë gjashtë vjet përvojë pune profesionale, përfshirë së paku tri vjet në pozita drejtuese.

 

Kriteri (nr.1) i kërkuar rreth diplomës universitar në konkursi për drejtor të BKK-së “Pjetër Bogdani”- 2024.

Ky kriter është ndryshuar ai nga konkursit të 12.2.2020, për zgjedhjen e drejtorit kësaj biblioteke, e që ishte rekrutim i brendshëm.

Siaps këtij konkursi, kriteri nr:1, të dejtë konkurrimi kishin të diplomuarit në shkencat shoqërore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Filozofik, Fakulteti Filologjik dhe që kishin  7 vjet përvojë pune, duke përfshirë 4 vjet në pozitë menaxheriale.

Kriteri (nr.1) i kërkuar rreth diplomës universitar në konkursi për drejtor të BKK-së “Pjetër Bogdani”- 2020.

Konkursi dhe zgjedhja e drejtorit sipas Ligji për bibliotekat

Sipas Ligjit për bibliotekat, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, zgjidhet dhe shkarkohet nga Këshilli Drejtues i kësaj biblioteke.

Sipas nenit 11 të këtij ligji, drejtori i BKK-së zgjidhet me konkurs publik dhe duhet të ketë diplomë universitare, por në këtë nen nuk specifikohet profili i diplomës universitare.

“Drejtori i bibliotekës zgjidhet me konkurs publik. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i bibliotekës Universitare dhe drejtori i bibliotekës Komunale duhet te ketë se paku diplomë Universitare”- thuhet në pikën, 1 në nenin 11 të Ligjit për bibliotekat.

Po sipas këtij ligji, drejtori i BKK-së zgjidhet me mandat 4-vjecar me mundësi të rizgjedhjes.