Foto: Ambasada e Gjermanisë në Kosovë / facebook

Diplomatët e vendeve gjermanofolëse të befasuar me statusin e gjermanishtes në Kosovë

Ambasadorë të vendeve gjermanishtfolëse të akredituar në Kosovë janë shprehur të befasuar me numrin e kosovarëve që kuptojnë dhe flasin gjermanisht.

Në hapje të programit “Ditët e Gjuhës Gjermane Kosovë 2024” në Prishtinë, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde tha se me të drejtë mund të themi se nuk ka asnjë vend tjetër në botë, pos vendeve ku është gjuhë zyrtare, ku gjermanishtja gëzon një status kaq të rëndësishëm si në Kosovë.

Rohde shtoi se fakti që gjuha gjermane është obligative në shkollat e Kosovës tregon lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë dhe botën gjermanofone.

Kurse ambasadori austriak Christoph Weidinger, se është befasuar se sa shumë njerëz e kuptojnë dhe flasin gjermanishten në Kosovë.

“E di se “der, die, das” është prej më të vështirave. Unë isha i befasuar se sa shumë njerëz e kuptojnë dhe flasin gjermanisht në Kosovë. Është mahnitëse fakti se ka prej atyre që e kanë mësuar gjuhën nga televizioni dhe sa të rinj të tjerë studiojnë gjuhën gjermane në fakultet” – tha ai.

Ndërkaq i ngarkuari me punë i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, u shpreh i lumtur që është i pranishëm në hapjen e këtij organizimi.

“Dua të them se në Kosovë është pothuajse e njëjtë sikurse në Luksemburg, ku shumë të rinj flasin gjermanisht ose anglisht, me shumë mundësi për biznese e punë. Dhe kur pyeta se ku e mësonin gjuhën, ata më thoshin prej televizionit, dhe kur vjen puna te sporti, në veçanti futbolli, e shikojmë në gjuhën gjermane” – tha Eric Dietz.

Në këtë ngjarje ishte edhe përfaqësuesja e ambasadës zvicerane, Beate Elseser.

Programi “Ditët e gjuhës gjermane Kosovë 2024″ do të vazhdojë në ditët e ardhshme edhe në qytete të tjera me aktivitete që përfshijnë ekspozita, shfaqje filmash, koncerte, lexime poezish dhe fjalime.